Çfarë po ndodhë me Klinikën e fëmijëve në Çair!

Maqedonia

Çfarë po ndodhë me Klinikën e fëmijëve në Çair!

Më: 13 shkurt 2021 Në ora: 22:16
Foto ilustrim

Këshilltari i opozitës në Komunën e Çairit, Fati Qaili akuzon se premtimi për Klinikën e Fëmijëve ka qenë njëri ndër premtimet për ti manipuluar dhe joshur qytetarët, ndërkaq si shumë projekte – edhe ky premtim ngelet i parealizuar. Në Komunë ndërkaq sigurojnë se projekti do të realizohet, ndërsa në përgatitje e sipër është dokumentacioni dhe projekti bazë

Shkup, 13 shkurt – Motoja e programit zgjedhor të Kontratës së kryetarit aktual të Komunës së Çairit, Visar Ganiu, ishte “Çairi, shtëpia ime”, ndërkaq gati katër vite nga ky premtim mbeti pa u realizuar projekti për Klinikën e Fëmijëve që ishte paraparë të realizohet në pjesën e investimeve për sferën shëndetësore në këtë komunë të Shkupit. Në plan-programin e asaj kohe ishte paraparë rikonstruimi i plotë i objektit i cili do të plotësonte standardet e larta për klinikë për fëmijë e që do të përfshinte edhe standardet shëndetësore. Madje, ishte paraparë edhe buxhet prej më shumë se 112 milionë denarë për rikonstruimin e objektit ekzistues mbi lagjen Gazibabë, si dhe për zgjerimin e hapësirës tjetër të re.

Kushtrim Alla nga Komuna e Çairit, thotë se ndërtimi i Klinikës për Fëmijë është në procedurë projektuese si të dokumentacionit, ashtu edhe të projektit përkatës për realizim. “Në lidhje me Klinikën për Fëmijët në Çair, informojmë se jemi në procedurë e sipër të përpilimit të projektit bazë dhe dokumentacionit adekuat ligjor dhe e njëjta do të ndërtohet në objektin e ndërtesës së Shtëpisë së Shëndetit në Çair me proces mbindërtimi. Ky projekt do të realizohet në partneritet me donatorin privat Abdylmutalib Bushi ashtu siç kemi paralajmëruar më herët. Ndryshuam lokacionin e përcaktuar paraprak në lagjen Gazi Babë, pasi duhej ndryshim i planit detal urbanistik, gjë që merr shumë kohë, si dhe procedurë eksproprimi, e cila do ta prolongonte realizimin e këtij projekti. Nga ana tjetër, lokacioni i mëparshëm në lagjen Gazi Babë nuk mundëson qasje efikase për të gjithë qytetarët në krahasim me lokacionin e Shtëpisë së Shëndetit e që do të jetë zgjidhje ideale”, thotë Alla. Ai gjithashtu thekson se ky premtim ka qenë ndër premtimet e Kontratës zgjedhore të kryetarit Ganiu dhe se padyshim do të realizohet.

“Klinika për fëmijë ka qenë njëri nga premtimet e kryetarit të Komunës së Çairit, Visar Ganiu në Kontratë dhe padyshim se do të fillojë rrugën e realizimit gjatë mandatit të tij. Projektet e mëdha që ka premtuar kryetari Ganiu veçmë janë në realizim e sipër dhe disa kanë përfunduar. Theksojmë këtu fillimin e ndërtimin të çerdhes së re për fëmijë në rrugën ‘Kemal Sejfulla’, përfundimin e ndërtimit të sallës së re sportive të shkollës fillore ‘Kongresi i Manastirit’, përfundimin e ndërtimit të tribunës së re të stadiumit të K.F. Shkupi, krijimin e leximores dhe Qendrës rinore dhe shumë projekte tjera për rregullimin e infrastrukturës tokësore dhe nëntokësore”, deklaron ai.

Ndërkohë, këshilltari i opozitës në Komunën e Çairit, Fati Qaili akuzon se premtimi për Klinikën e Fëmijëve ka qenë njëri ndër premtimet për ti manipuluar dhe joshur qytetarët, ndërkaq si shumë projekte – edhe ky premtim ngelet i parealizuar. “Për të ardhur keq sesi deri më tani janë manipuluar qytetarët kur e dimë se lokacioni deri te objekti, i cili shfrytëzohet si stacion policor për emigrantët e nga ku për tu ngjitur deri atje ka mungesë të infrastrukturës , tregon se s’ka asgjë konkrete për ndërtimin e ashtuquajtur Klinikë për Fëmijë, thjesht është premtim bosh dhe premtim i parealizuar”, deklaron Qaili.

Qytetarët e Komunës së Çairit kërkojnë që premtimet e dhëna të realizohen, si dhe të ndërtohen të gjitha objektet e parapara për kryerjen e nevojave, e sidomos për sa ka të bëjë me çështjen e shëndetësisë që është më se e nevojshme për mjekimin dhe shëndetin e qytetarëve. Klinika për Fëmijë në këtë Komunë fillimisht ishte parashikuar të ndërtohet në pjesën e sipërme të lagjes Gazibabë në objektin nga ku deri në vitet e kaluara – është shfrytëzuar për nevoja dhe funksione të tjera, ndërsa tani për tani, qytetarët e kësaj ane mjekimet e fëmijëve të tyre i bëjnë në Klinikën për Fëmijë në Kozle.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat