FRI shënon 21 Shkurtin – Ditën ndërkombëtare të Studentit

Maqedonia

FRI shënon 21 Shkurtin – Ditën ndërkombëtare të Studentit

Më: 21 shkurt 2021 Në ora: 16:46
Foto ilustrim

Fillimisht vlen të përmendet se ekziston një dilemë rreth Ditës Ndërkombëtare të Studentit në kalendarin e ditëve ndërkombëtare të paraqitura nga Kombet e Bashkuara. Disa e shënojnë atë më 17 nëntor, dita në të cilën në vitin 1939, në ish Çekosllovaki, u ekzekutuan 9 studentë dhe profesorë, të cilët protestonin kundër vrasjes së studentit të mjekësisë, Jan Opletal, dhe punëtorit Vaclav Sedlaçek, të Universitetit të Pragës, nga ana e pushtuesve Nazist.

Ndërkaq, të tjerë e llogarisin si Ditë Ndërkombëtare të Studentit 21 shkurtin, në përkujtim të kësaj dite të vitit 1946, e cila lidhet me ngjarjet që përfshinë Egjiptin e asaj kohe të kolonizuar nga forcat e atëhershme angleze. Edhe pse kishte përfunduar Lufta e Dytë Botërore, forcat kolonizuese angleze ende qëndronin në tokën e Egjiptit, ndonëse kishte pasur një premtim për largim të tyre. Si rezultat i kësaj, në Egjipt shpërtheu një lëvizje e gjerë popullore për largimin e pushtuesit, kurse studentët u bënë pararoja dhe drejtuesit e saj kryesorë.

Kështu, më 7 shkurt 1946, disa mijëra nxënës e studentë të shkollave dhe universiteteve dolën në protestë, duke kërkuar nga pallati mbretëror i shtetit të Egjiptit që të ndërpresë të gjitha kontaktet me kolonizatorët anglezë dhe të anulojë Marrëveshjen e padrejtë të vitit 1936, si dhe të kërkojë largimin e menjëhershëm të tyre nga Egjipti dhe lugina e Nilit. Pavarësisht dhunës policore dhe presioneve të vazhdueshme, Lëvizja studentore e Egjiptit nuk humbi elanin dhe energjinë.

Përkundrazi, gjatë ditëve në vijim ajo mori forma më të organizuara të veprimit. Më 17 shkurt 1946, Lëvizja studentore nxori një peticion kombëtar i cili përmbante kërkesat e popullit egjiptian. Një ditë më vonë u organizua një takim në Universitetin e Ez’herit, ku studentët shpallën formimin e Unionit të Përgjithshëm të Studentëve të Egjiptit. Po ashtu, u formua edhe Komisioni Kombëtar i Studentëve dhe Punëtorëve, ndërsa 21 shkurti u shpall si ditë e grevës së përgjithshme në të gjitha institucionet civile. Në këtë ditë, pra më 21 shkurt 1946, turmat e studentëve, të përkrahur edhe nga shtresat tjera shoqërore, u grumbulluan në “Sheshin e Çlirimit”, ku u përballën me forcat kolonizuese angleze, të cilat i pritën me zjarr, me ç’rast ranë dëshmorë 23 vetë dhe u plagosën 120 të tjerë.

Dita e 21 shkurtit, gjithashtu, lidhet edhe me ngjarjet e studentëve në Indi, të cilët e ndjenë rrahjen e zemrës të popullit të tyre për liri dhe pavarësi nga kolonizatorët e asaj kohe. Studentët e shpaguan këtë ditë me gjakun e tyre, ndërsa në shenjë kujtimi për ta, kjo datë fillimisht njihet si Dita Botërore e Solidarizimit me studentët e Egjiptit dhe Indisë, kurse më pas u njoh edhe si Dita Botërore e Studentit.

Sidoqoftë, pavarësisht dallimeve që ekzistojnë në shënimin e saj, kjo ditë e rëndësishme në kalendarin e ngjarjeve botërore na bën që të kuptojmë:

1. Vlerën e lirisë së popujve dhe shoqërive, si dhe kundërshtimin e

çfarëdo padrejtësie dhe pushtimi.

2. Rolin e madh të studentëve në lëvizjet atdhetare e sociale, si dhe

konfirmimin e punës studentore si pararojë dhe drejtuese këtyre

lëvizjeve dhe ndryshimeve pozitive shoqërore.

3. Rolin e studentëve në inicimin dhe zgjidhjen e çështjeve madhore që

preokupojnë popujt e ndryshëm dhe shoqëritë ku jetojnë.

4. Përqendrimin dhe mishërimin e shtresës studentore me shqetësimet e popullit, si: liria, pavarësia, uniteti, drejtësia sociale, demokracia etj.

5. Zhvillimin e përmasave botërore të punës dhe veprimtarisë studentore.

6. Faktin e pamohueshëm se studentët janë forca lëvizëse për arritjen e qëllimeve dhe idealeve të një populli.

Edhe historia më e re dhe aktualiteti i sotëm anë e mbanë botës, tregojnë për ngjarje e zhvillime të cilat si promotorë kryesorë kanë studentët. Dhe si të tillë ata, studentët, duhet të mbeten gjithmonë, duke pasur si vizion Fjalën e Zotit të Madhërishëm në Kur’anin Fisnik:

“… All-llahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, përderisa ata ta ndryshojnë veten e tyre…” (Rad: 11)

Të nderuar studentë, ju jeni forca dhe shpirti i shoqërisë, andaj kuptoni peshën që keni dhe bëhuni forca e ndryshimeve pozitive në shoqëri, merreni flamurin e progresivitetit shkencor, ekonomik, social etj.

Shënimi i ditëve të rëndësishme është një univerzitet nga i cili duhet të nxirren mësime që na shërbejnë si udhërrëfyes në jetë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat