Rritja e numrit të infektuarve me COVID-19, nga MSH tregojnë se a do të ketë masa të reja

Maqedonia

Rritja e numrit të infektuarve me COVID-19, nga MSH tregojnë se a do të ketë masa të reja

Më: 25 shkurt 2021 Në ora: 22:24
Foto ilustrim

Ministria e Shëndetësisë ka thënë se Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik monitoron situatën epidemiologjike, dhe ministria do të veproj në bazë të rekomandimeve të këtij institucioni, kur pyetet se a ka masa të reja. Ndërkaq, numri i të infektuarve po rritet nga dita në ditë.

Ditën e djeshme është regjistruar numër rekord i të infektuarve me COVID-19 për këtë vit në Kosovë.

Nga 3 mijë e 138 testime të kryera, 461 persona kanë rezultuar pozitiv me këtë virus.

Numër i lartë i të infektuarve me COVID-19 është regjistruar edhe sot.

Gjithsej 437 persona kanë rezultuar pozitiv me të.

Ndonëse numri i të infektuarve është rritur së fundmi, Ministria e Shëndetësisë njëherë nuk ka paraparë masa të reja.

Të pyetur se a po parashohin masa shtesë mbrojtëse ndaj këtij virusi, nga kjo ministri kanë thënë për Express se tani për tani nuk ka masa të reja përveç atyre që janë ndërmarrë së fundmi.

Nga MSH kanë thënë se do të veprojnë në bazë të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

“Tani për tani nuk ka masa të reja lidhur me COVID-19, përveç atyre të ndërmarra së fundi. IKSHPK monitorin në vazhdimësi situatën epidemiologjike, ndërsa MSh vepron në bazë të rekomandimeve që jep ky institucion”, është thënë për gazetën.

Për masa shtesë nuk është folur as në Bordin Këshillëdhënës për COVID-19.

Ferid Agani, anëtarë i këtij bordi, ka thënë se nuk janë informuar për masa tjera shtesë ndaj koronavirusit.

Ai ka thënë se për vendimin e fundit të marrë për lehtësimin e masave ata nuk ishin konsultuar nga Ministria e Shëndetësisë, andaj edhe vendimi ka qenë politik.

“Ne nuk kemi informacione për masa të reja. As për vendimin e fundit të marrë për lehtësimin e masave ne nuk jemi konsultuar. Ai ka qenë vendim para fushatës e vendim politik”, ka thënë ai.

Vendimin për lehtësimin e masave mbrojtëse ndaj COVID-19 nuk e kishin pritur mirë as punëtorët shëndetësorë, të cilët janë në frontin e parë duke u ballafaquar me këtë virus.

Kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu, ka thënë  se lehtësimi i masave ka qenë brenga më e madhe e tyre dhe se janë të habitur se si është marrë një vendim i tillë duke e ditur se çfarë mund të ndodhë pas lehtësimit të masave.

“Ajo ka qenë brenga më e madhe dhe kundërshtimi i jonë. Ka qenë e habitshme duke e pasur parasysh se e dimë se çka mund të ndodh pas atij vendimi. Kemi parë që një anëtarë i bordit këshillëdhës ka treguar se as nuk janë konsultuar për atë vendim”, ka theksuar ai.

Sejdiu ka thënë se lodhja e punëtorëve shëndetësorë tashmë është evidente, por që do të mundohen ta përballojnë gjendjen edhe nëse rritet numri i të infektuarve.

“Lodhja edhe fizike edhe psiqike nuk guxoj të them se ka arritur kulmin por është evidente. Por nëse e kemi përballuar gushtin dhe nëntorin ne do të përballojmë edhe këtë situatë, vetëm do të donim të kishim kushte më të mira për ta përballuar situatën”, ka theksuar ai.

Ndërsa, infektologu Hamdi Ramadani ka deklaruar se situata me koronavirus është e rëndë dhe ka tendencë që numri i rasteve të infektuara me COVID-19 të rritet edhe më shumë.

Ai ka thënë se në këtë situatë është mirë që masat të shtrëngohen pasi ende nuk e kemi kaluar pandeminë.

“Masat është dashur të jenë më rigorozë dhe të jenë më të zbatueshme. Krejt këto shifra e fundit tregojnë një trend që situatën e kemi të rëndë dhe kemi tendencë të rritjes së numrit të të infektuarve edhe ditëve në vijim”, ka thënë ai.

Gjithë kjo rritje e numrit të të infektuarve Ramadani vlerëson se është edhe për shkak të tubimeve të partive politike.

“Kjo dukuri është edhe për shkak të grumbullimeve masive të qytetarëve në tubimet elektorale. Njerëzit nuk ishin të mbrojtur me masa përkatëse. Andaj kjo është një arsye ndihmëse se situata po ec në drejtim të përkeqësimit”, ka shtuar ai.

Kujtojmë që derisa numri i rasteve të reja me COVID-19 po shkon duke u rritur, vendi ende nuk ka marrë asnjë dozë të vaksinës kundër këtij virusi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat