Osmani i drejtohet Zaharievës: Të kapërcejmë sfidat dhe të sigurojmë progres për qytetarët tanë

Maqedonia

Osmani i drejtohet Zaharievës: Të kapërcejmë sfidat dhe të sigurojmë progres për qytetarët tanë

Më: 3 mars 2021 Në ora: 18:43
Bujar Osmani

Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani i dërgoi mesazh urimi ministres bullgare të Punëve të Jashtme Ekaterina Zaharieva me rastin e 3 marsit – Festës Kombëtare të Republikës së Bullgarisë.

“Marrëdhëniet me Republikën e Bullgarisë i konsideroj jashtëzakonisht të rëndësishme, derisa angazhimi për përforcimin e mëtejshëm të tyre paraqet interes të veçantë për zhvillimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore. Republika e Maqedonisë së Veriut mbetet e vendosur në zbatimin e Marrëveshjes për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim, e cila është hallkë e rëndësishme për forcimin e besimit në mes qytetarëve tanë”, tha Osmani në mesazhin e urimit të tij për Zaharievën.

Ai theksoi se “rruga përpara është përmes miratimit dhe praktikimit të vlerave evropiane, derisa aleanca në NATO dhe bashkëpunimi i ngushtë i pritur në korniza të BE-së do të forcojnë edhe më tej marrëdhëniet dypalëshe”.

“Mbështetja e Republikës së Bullgarisë për perspektivën euro-atlantike të Republikës së Maqedonisë të Veriut do të thotë mbështetje e sigurt për përparësitë tona më të larta strategjike dhe është konfirmim i miqësisë në mes qytetarëve tanë. Presidenca e përbashkët me Procesin e Berlinit këtë vit ishte moment historik me simbolikë të madhe, e cila tregoi se rajoni po merr iniciativën dhe po merr përgjegjësi për proceset që përcaktojnë të ardhmen e tij. Ishte konfirmim se një vend anëtar i BE-së dhe një vend kandidat mund të punojnë së bashku në interes të vendeve në rajon.

Jam i bindur se vetëm përmes zbatimit të vazhdueshëm të qasjes aktuale do të kemi sukses të kapërcejmë të gjitha sfidat dhe të sigurojmë progres gjithëpërfshirës për qytetarët tanë. Me atë bindje, edhe njëherë duke ju uruar ju dhe qytetarët e vendit tuaj, e nderuara kolege, shpreh respektin tim më të lartë”, shkruan ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani në mesazhin e urimit për zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat