Hamiti: Fëmijët arsimohen me gjuhë gjysmëshqipe

Maqedonia

Hamiti: Fëmijët arsimohen me gjuhë gjysmëshqipe

Më: 7 mars 2021 Në ora: 16:24
Foto ilustrim

Ngecje e theksuar në zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, i cili avancon përdorimin institucional të shqipes. Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve ende nuk e ka gati raportin për zbatimin e shqipes gjatë vitit të kaluar, por pretendon se ka pasur përmirësim.

“Ka ndryshim pozitiv, sepse vitin e kaluar kemi pasur institucione që në fazën e parë nuk e kishin zbatuar, sa i përket vulave, memorandumeve, ueb-faqeve. Sivjet një pjesë e madhe e institucioneve kanë ndryshime në aspekt pozitiv”, tha Ylber Sela, Agjencia për zbatimin e gjuhëve.

Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve ende nuk ka filluar punën në terren. Deri tani vetëm 3 inspektorë e kanë përfunduar trajnimin 3 mujor. Por që të dalin në terren duhet ta kryejnë edhe trajnimin 9 mujor, për çka Këshilli mbikëqyrës inspektues duhet t’ua sigurojë mentorin. Nga ana tjetër, vendi nuk ka ende gati metodologjinë për zbatimin e vërejtjeve të Komisionit të Venecias. Grupi i punës që ishte themeluar për miratimin e metodologjisë, në krye me Ministrinë e Drejtësisë asnjëherë nuk është takuar për këtë çështje. Albanologu, Asllan Hamiti për ngecjen në zbatimin e mirëfilltë të shqipes, fajëson institucionet për mungesë vullneti.

“Ende po përballemi edhe me gjuhën e urrejtjes, gjuhën e papërdorur mirë, gjysmë-shqipe në tekstet shkollore. Ne në një farë mënyre fëmijët tanë po i helmojmë me të pavërteta qofshin historike, shkencore, apo gjuhësore. Po iu servojmë atyre një gjuhë gjysmë-shqipe dhe jo të pastër, siç duhej të ishte. Në këtë pikëpamje, vërtetë kemi shumë punë për të bërë”, pohoi Asllan Hamiti, Albanolog.

Edhe pse e rregulluar me ligj, gjuha shqipe në vazhdimësi është përbuzur qoftë përmes teksteve shkollore, tabelave a mbishkrimeve të ndryshme, apo injorimin e saj gjatë komunikimit të institucioneve me gazetarët e qytetarët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat