Spasovski njoftoi se do të formohet njësi speciale për luftë kundër dhunës me bazë gjinore

Maqedonia

Spasovski njoftoi se do të formohet njësi speciale për luftë kundër dhunës me bazë gjinore

Më: 8 mars 2021 Në ora: 10:29
Foto ilustrim

Ministria e Brendshme do të iniciojë formimin e një njësie speciale për luftimin e dhunës mbi baza gjinore të përbërë nga disa institucione, njoftoi ministri Oliver Spasovski në tribunën e djeshme online të Forumit të Grave të organizuar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas – 8 Marsin.

“E dimë që vetëm miratimi i dispozitave të reja ligjore nuk mund ta zgjidhë plotësisht problemin, nevojitet një aktivitet i fortë kompleks i të gjithë aktorëve në këtë zinxhir parandalimi dhe veprimi, nga Ministria e Brendshme, Prokuroria Publike, gjykatat, shërbimet sociale, arsimi, sektori civil, media dhe të gjithë aktorët e tjerë socialë që kanë kompetencë dhe përgjegjësi në këtë fushë. Në këtë kontekst, Ministria e Brendshme po punon në mënyrë aktive në kërkimin e formave të reja të qasjes së përbashkët të partneritetit me sektorin e OJQ-ve dhe qytetarët, veçanërisht vajzat dhe gratë që shpesh janë viktima të formave të tilla tinëzare të degradimit. Për këtë qëllim, Ministria do të propozojë krijimin e një njësie speciale, një Task Forcë speciale për luftimin e dhunës me bazë gjinore, e përbërë nga përfaqësues të disa organeve shtetërore, prokurorisë, strukturave të gjykatës dhe policisë si dhe përfaqësues të sektorit civil, i cili do të jetë një lloj lidhje për reagim të shpejtë, sanksionim dhe parandalim të këtyre fenomeneve”, tha Spasovski.

Kryeministri Zoran Zaev në fjalën e tij, u bëri thirrje prokurorisë dhe gjykatës të jenë më të përditësuara në procedurat në lidhje me dhunën ndaj grave. Zaev tha se skandali me Dhomën Publike është provë se duhet një front i gjerë për të luftuar dhunën dhe ngacmimet seksuale.

“Shembujt e fundit, si ai me Dhomën Publike, janë provë se të gjithë së bashku duhet të veprojmë dhe të punojmë në një front më të gjerë, duke filluar me arsimimin dhe edukimin, duke pasur parasysh ndryshimet e sjella nga dixhitalizimi dhe përdorimi i rrjeteve sociale, për të mjete dhe mekanizma të rinj për veprim më efektiv institucional, përfshirë ndryshimet e nevojshme ligjore. Nuk është e mjaftueshme vendosmëria apo veprimi  i vetëm një partie, por të sjellim ndryshime, të gjëra, shoqërore. Ekzistojnë forma të reja abuzimi, dhune dhe ne jemi të vendosur dhe veprojmë. Unë kam dërguar disa herë mesazhin se ne nuk do të heshtim për asnjë dhunë, veçanërisht për format e dhunës ndaj vajzave dhe grave. Në përputhje me detyrimin e institucioneve për të ngritur mbrojtjen e grave dhe vajzave,  i bëjmë thirrje prokurorisë dhe gjykatës të veprojnë shpejt, me vendosmëri dhe profesionalisht dhe të jenë një pjesë e rëndësishme dhe thelbësore e përgjigjes institucionale ndaj sanksionimit të dhunës gjinore dhe seksuale”, tha Zaev.

Përndryshe, kundër kësaj lloj dhune, sot, më 8 Mars (e hënë), me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, duke filluar nga ora 15:00, para Ministrisë së Punëve të Brendshme do të zhvillohet marshi i pestë për të Drejtat e Grave.

Në këtë marsh protestues nën parullën: “Shteti që nuk vepron është shtet që përdhunon”, do të dërgohet mesazh se nuk mund të ketë liri, kur ende po luftojmë për të drejtat, dinjitetin dhe respektin e punëtoreve, dhe jetojmë nën kërcënimin e dhunës dhe diskriminimit sistemik.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat