Kufizim i lëvizjes dhe karantinë në Maqedoninë e Veriut

Maqedonia

Kufizim i lëvizjes dhe karantinë në Maqedoninë e Veriut

Më: 10 mars 2021 Në ora: 16:46
Doktorët duke bartur me ambulancë një pacient me koronavirus. Shkup, foto nga arkivi.

Me qëllim që të frenohet përhapja e mëtejme e koronavirusit, në Maqedoni të Veriut ka hyrë sërish në fuqi kufizimi i lëvizjes së qytetarëve nga ora 22:00 deri në ora 05:00.

Kufizimi i lëvizjes do të jetë në fuqi për dy javë, përkatësisht deri më 22 mars.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka thënë se nëse kufizimi i lëvizjes nuk jep rezultatet e pritura, do të propozohen edhe masa shtesë, pasi që në prill në këtë shtet ka edhe festa fetare.

“Vendimi gjithashtu ka edhe rol parandalues, përskaj shkakut që është rritja e shifrave” të të infektuarve, tha Zaev.

Autoritetet shëndetësore thonë se rritja e rasteve me koronavirus vjen si pasojë e mosrespektimit të masave që janë në fuqi, veçanërisht tubimet në lokale për festa familjare, grumbullimi i të rinjve në hapësira publike si dhe mosmbajtja e maskës dhe distancës.

Qytetarët e anketuar nga Radio Evropa e Lirë thonë se faji është i policisë, që sipas tyre, duhet të jetë më rigoroze ndaj shkelësve të masave.

“Po ashpërsohet situata, kjo është evidente. Me ngrohjen e motit, duket se autoritetet mbyllin sytë kur bëhet fjalë për organizimin e festave familjare, ku jo gjithmonë mbahet distanca dhe respektohen protokollet (për parandalimin e përhapjes së koronavirusit”, thotë Filip Nikollovski.

Ndërkaq, Ismail Samakova, e cilëson si të pakuptimtë masën e kufizimit të lëvizjes së qytetarëve gjatë natës, pasi sipas saj, në atë interval kohor, nuk janë të hapura as bizneset.

“Prej orës 22:00 deri në ora 05:00 njerëzit pushojnë, pasi në atë kohë nuk punojnë kafiteritë. Restorantet punojnë deri në ora 21:00 dhe në ora 22:00 të gjithë mblidhen në shtëpi. Disi e pakuptueshme që karantina të nisë nga ora 22:00 e të jetë deri në ora 05:00. Nëse do të ishte bërë që karantina të nisë nga ora 17:00 apo 18:00, atëherë disi besimi do të ishte më i fort te popullata sa i përket ndalimit të përhapjes së virusit”, thotë Samakova.

Marija Atanasova thotë se masa e kufizimit të lëvizjes të paktën duhet të parandalojë tubimin e të rinjve në ambiente të hapura.

“Kemi një rini që nuk po i respekton masat. Ata tubohen në parqe gjatë orëve të natës dhe kjo sjellje rrezikon të afërmit e tyre, më të moshuarit. Prandaj, tani kemi edhe rritje të numrit të të infektuarve edhe në mesin e të rinjve”, thotë ajo.

Ndërkaq, Ismail Abazi thotë se problemi kryesor, sa i përket pandemisë, është se një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve ende nuk besojnë në ekzistencën e koronavirusit dhe as rreziqeve që mund të bartë ky virus.

“Ende ekziston hamendja te njerëzit se pandemia, përkatësisht COVID-19 nuk ekziston dhe mendoj se aty është problemi”, thotë Abazi.

Ndërkaq, mikrobiologu Nikolla Panovski thotë se masat e reja janë të nevojshme që sistemi i shëndetësisë të mos mbingarkohet.

“Po të isha anëtar i Komisionit për sëmundje do të ndaloja punën e qendrave të fitnesit, kafiterive (shërbimin në hapësira të mbyllura), gjithçka që rrit rrezikun e përhapjes së virusit për shkak të neglizhencës së të rinjve, të cilët edhe mund të jenë pa simptoma, apo me simptoma më të lehta dhe virusin e bartin te familjarët e tyre më të moshuar. Kështu edhe bllokohen më pas kapacitetet shëndetësore”, thotë mikrobiologu Panovski.

Përveç vendosjes së masës së kufizimit të lëvizjes, autoritetet kanë vendosur masën e karantinës së detyrueshme për qytetarët e Maqedonisë së Veriut që kthehen nga shtetet afrikane. Karantina vlen edhe për shtetasit e huaj që hyjnë në territorin maqedonas.

Krahas masave të reja të vendosura kundër pandemisë, në Maqedoninë e Veriut ka vijuar vaksinimi i punonjësve shëndetësorë, të cilët po marrin vaksinën ruse Sputnik V.

Maqedonia e Veriut ditë më parë pranoi tremijë doza të vaksinës ruse, me të cilat po imunizohen punëtorët shëndetësorë. Megjithatë, ende nuk dihet se kur do të nisë imunizimi i grupeve më të rrezikuara të popullatës, siç janë ata me sëmundje kronike, si dhe të moshuarit./REL

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat