Maqedonia e Veriut lehtëson masat rreth COVID-19

Maqedonia

Maqedonia e Veriut lehtëson masat rreth COVID-19

Më: 5 maj 2021 Në ora: 18:38
Maqedoni e Veriut

Autoritetet maqedonase vendosën lehtësimin e masave rreth gjendjes me Covid-19 në një kohë kur, sipas të dhënave zyrtare numri i të infektuarve me virusin po bie, por jo i viktimave që po merr pandemia.

Ndalim qarkullimi, që deri tani vlente nga ora 9 e mbrëmjes deri në 5 të mëngjesit të së nesërmes, prej sot, 5 maj, shkurtohet për dy orë dhe aplikohet nga ora 11 e mbrëmjes deri në 5 të mëngjesit. Me 15 maj, në bazë të gjendjes do të vendoset për lehtësime apo shtrëngime të tjera.

Në bazë të vendimit të fundit të qeverisë, restorantet dhe baret do të punojnë deri në orën 22:30, por vetëm në ambiente të jashtme, terraca.

Rekomandimin për këto lehtësime e bëri shtabi për menaxhimin e krizave ku bën pjesë një numër i madh ministrash dhe jo Komisioni për Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse si deri më tani, prandaj vendimi i qeverisë shikohet në opinionin publik si një vendim politik.

Prej fillimit të muajit maje kanë humbur jetën 125 njerëz, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 5,016 të viktima nga koronavirusi. Maqedonia e Veriut me rreth dy milonë banorë, prej tyre jo më shumë se 1.6 milion banorë rezidentë, sipas ekspertëve (sepse nuk ka pasur census që nga viti 2002) është më e prekura jo vetën në Ballkan por edhe më gjerë nga pandemia.

Mbi 153 mijë raste janë diagnostikuar që nga shpërthimi i virusit, aktualisht 12,754 janë raste aktive. Autoritetet shëndetësore, megjithatë thonë se spitalet po lirohen dhe nuk ka më trysni sikur para 2-3 javësh.

Një ditë më parë ka nisur vaksinimi masiv pasi arritën 200,000 vaksina kineze Sinopharm, por për habi në ditën e parë gjysma, prej 9 mijë personave të cilëve u ishte caktuar koha dhe vendi për të marrë vaksinën, nuk ishin paraqitur në pikat e vaksinimit.

Disave u ishin caktuar qytete të tjera për t’u vaksinuar, ndonëse në vendbanimet e tyre ishin ngritur qendra vaksinimi. Autoritetet fajësuan popullatën për këtë ngatërresë.

Ndërkohë, Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe u tha gazetarëve se kishte raste kur njerëzit nuk donin vaksinat kineze dhe ruse për shkak të mosnjohjes së tyre nga vendet e Bashkimit Evropian, ku ata me siguri planifikonin të udhëtonin.

Bashkimi Evropian i ka siguruar Maqedonisë së Veriut 119,000 vaksina Pfizer-BioNTech të cilat do t’i dorëzohen deri në muajin gusht. Të marten, Komisioneri Oliver Varhelyi solli paketën e parë prej 4,680 dozash.

Rreth 60 mijë persona, kryesisht personel shëndetësor, policë, ushtarë, të moshuar dhe deputetët janë vaksinuar. Qeveria thotë se ka porositur edhe qindra mijë vaksina të prodhuesve të ndryshëm, ndërsa synon të vaksinojë 70 përqind të popullatës./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat