ASH – AAA: Ministria e Shëndetësisë të intensifikojë vaksino – diplomacinë

Maqedonia

ASH – AAA: Ministria e Shëndetësisë të intensifikojë vaksino – diplomacinë

Më: 21 qershor 2021 Në ora: 13:11
Foto nga vendi i ngjarjes

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kanë kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë që të intensifikojë procesin e vaksinimit të popullatës. Bekim Tateshi nga ky koalicion në konferencë për media deklaroi sot se, vaksinimi masiv në Maqedoninë e Veriut po zhvillohet me tempo të ulët dhe i bëri thirrje Ministrisë së Shëndetësisë që të sigurojë sasi më të mëdha të vaksinave.

“Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa  kërkon nga Ministria e Shëndetësisë që: të intensifikojë vaksinodiplomacinë dhe të kontraktoj direkt me shtëpitë farmaceutike për sigurim të sasive adekuate e jo me ndërmjetësues që na bën të dyshojmë në loja të pista të qeveritarëve. Të informojë opinionin për premtimin e dhënë se në fund të muajit Maj do sigurohen 200.000 vaksina Sputnik V dhe 500.000 doza Sinovak; Ta informojë opinionin sa mjete janë ndarë për blerjen e vaksinave dhe sa doza janë siguruar nga mjetet buxhetore se sigurimi I vaksinave nga donacione është I pamjaftueshëm dhe I rrezikshëm, por edhe nënçmues se si shtet na vendos në pozicionin të lypsarit dhe të paaftit”, deklaroi Tateshi.

Ai  tha se, përveç keqmenaxhimit të COVID 19, Qeveria 2 LSDM dhe BDI kanë dështuar totalisht edhe në vaksinimin masiv të shtetasve të saj.

“Ndodhemi para Qendrës sportive “Boris Trajkovski” në Shkup e cila është edhe punkti kryesor dhe më i madh në vend për vaksinimin masiv të popullatës. Jo vetëm kjo qendër, por edhe të gjitha tjerat tre ditë me rradhë gjatë uikendit të zgjatur u mbyllën që ne si Koalicion Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa e vlerësojmë si hap të gabuar, amator dhe shumë I rrezikshëm. Ky hap i pamatur i Ministrisë të Shëndetësisë detyroi shtetasit e saj që në rolin e vaksina turistëve të vaksinohen në shtetet e regjionit duke hargjuar mjete dhe kohë edhepse paguajnë kontribute shtetit të tyre amë. Është turp dhe rast i paprecedent. Vetëm në muajin mars të këtij viti në Serbi janë vaksinuar 15000 shtetas e nuk ka të dhëna për në shtetet tjera”, deklaroi Tateshi.

Ai më tej ka shtuar se, nga të dhënat e siguruara nga organizata relevante botërore Maqedonia e Veriut renditet në top 10 shtetet me numër më të vogël të shtetasve të vaksinuar në nivel regjional dhe botëror.

Deri më 18 qershor në Maqedoninë e Veriut janë vaksinuar 473,853 qytetarë me një dozë dhe 199,143 me dy doza, ndërsa 454,104 qytetarë janë paraqitur për të marrë vaksinën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat