Zgjedhjet lokale, edhe një ditë afat për kandidatët

Maqedonia

Zgjedhjet lokale, edhe një ditë afat për kandidatët

Më: 10 shtator 2021 Në ora: 15:47
Foto ilustrim

Edhe një ditë kanë kohë partitë për të vendosur për kandidaturat e tyre në zgjedhjet lokale. Nesër në mesnatë skadon afati.

Për shumë prej komunave, partitë politike tashmë kanë marrë vendimet e tyre të cilat akoma nuk i kanë formalizuar. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka pranuar disa dokumente nga disa parti që sipas ligjit duhet t’i paraprijnë kandidimit që më pas t’u jepet miratim se i plotësojnë kushtet për gara në zgjedhje.

"Të tilla kemi dhe në mëngjes firmosa për disa parti. Më pas vazhdon procedura për kandidaturat dhe kjo do të bëhet nesër"– deklaroi Aleksandar Dashtevski, kryetar i KSHZ-së.

VMRO-DPMNE-ja sot publikoi edhe 8 kandidatura të reja, mes të cilave edhe ajo e Timço Mucunskit për Aerodromin dhe Aleksandar Jovanovskit për Kërçovën. Ndërkohë, koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa shqyrton mundësinë e kandidimit të Mazllam Osmanit nga radhët e Alternativës, për kryetar të Komunës së Kërçovës megjithatë një vendim përfundimtar do të merret e shumta deri nesër.

Opsioni tjetër është që koalicioni opozitar shqiptar të mos ketë asnjë kandidat për këtë komunë por të mbështesë kandidatin Fatmir Limani. Burime nga Alternativa thonë për Alsat se arsyeja që mund të mbështetet Limani është sepse ai ka qenë i vetmi që ka kërkuar votën e opozitës. Nga ky subjekt nuk përjashtojnë mundësinë të mbështesin Deharin në rrethin e dytë, nëse do të jetë ai kandidati i vetëm shqiptar që do të mbetet në garë.

Koalicioni opozitar shqiptar dhe VMRO-DPMNE-ja kanë zyrtarizuar mbështetjen për kandidaten e pavarur për Qytetin e Shkupit, Danella Arsovska. ASH dhe AAA nuk do ta japin votën për VMRO-në as në Kumanovë.

Partitë politike në pushtet kanë publikuar pjesën më të madhe të kandidatëve të tyre. Votat e tyre, në rrethin e parë në Komunën e Tetovës do të shkojnë për katër kandidatë, nga LSDM, BDI, BESA dhe PDSH. Ata kanë njoftuar se do të mbështesin njëra-tjetrën në rrethin e dytë, përballë kandidatëve opozitar.

KSHZ-ja të hënën do të pranojë dërgesën e dytë prej 950 pajisjeve për identifikimin e votuesve përmes shenjave të gishtave.

"Trajnimi për terminalet do të jetë me demonstrim. Këto ditë duhet të fillojë mbushja dhe sapo të bëhet mbushja do të fillojë trajnimi se si përdoren pajisjet" – tha Aleksandar Dashtevski, kryetar i KSHZ-së.

Sipas kreut të institucionit për organizimin e zgjedhjeve, po merren të gjitha masat që në këto zgjedhje të mos përsëritet lëshimi nga procesi i kaluar, me softuerin për publikimin e rezultateve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat