Dyshohet për disa vjedhje, prezantohej si infermiere dhe regjistruese

Maqedonia

Dyshohet për disa vjedhje, prezantohej si infermiere dhe regjistruese

Më: 24 shtator 2021 Në ora: 21:26
Foto ilustrim

Shkupjania 35-vjeçare dyshohet se ka kryer gjashtë grabitje të rënda në periudhën nga 3 deri 21 shtator.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore Publike, ajo ka hyrë në amvisëri të ndryshme duke u prezantuar si infermiere, regjistruese, ose mbesë e ndonjë fqinje, pas çka ka kryer vjedhje brenda shtëpive.

35-vjeçarja dyshohet se vjedhjen e parë e ka realizuar me 3 shtator, respektivisht në stacionin e autobusit në Hasanbeg. E njëjta i është afruar palës së dëmtuar, ka biseduar shkurt me të dhe i ka marrë çantën në të cilën ka pasur kuletë dhe kartelë në vlerë prej 6 mijë denarëve.

Pesë ditë më vonë, gruaja nga Shkupi ka hyrë në një shtëpi në rrugën “Kavadarka” në Shkup. Sipas Prokurorisë Publike, ajo i është prezantuar pronarit si infermiere që kishte ardhë për ta ekzaminuar dhe për t’i vendosur fashë në këmbë.

Pronari e kishte pranuar në shtëpi, ndërkaq derisa pronari po përgatitej për ekzaminim, shkupjanja ka vjedhur 16.000 denarë nga kuleta.

Ndërkaq, Prokuroria thekson se nëpër shtëpi ka hyrë në dy ditët e ardhshme, por me tjetër taktikë.

“Me datë 9 dhe 10 shtator ka hyrë në dy shtëpi, duke u prezantuar si pjesë e Komisionit të Regjistrimit. Pronarëve i ka kërkuar certifikatë vaksinimi, derisa të njëjtit kanë kërkuar certifikatat, u ka marrë kuletat ku ka pasur kartela bankare. Në shtëpinë e një tjetër pale të dëmtuar, më 14 shtator e dyshuara është prezantuar si mbesë e një fqinje, ndërsa ka shfrytëzuar momentin dhe i ka marrë kuletën me rreth tre mijë denarë”, thonë nga PTHP.

Sipas Prokuorisë, 35-vjeçarja dyshohet se vjedhjen e fundit e ka kryer me 21 shtator, ku shkupjania i është afruar një personi afër një barnatore në Hasanbeg dhe i ka kërkuar para për ilaçe, derisa për një moment i ka marrë kuletën ku kishte tre mijë denarë.

Nga Prokurori shtojnë se për shkak të rrezikut për ikje, është caktuar paraburgim për të dyshuarën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat