KSHZ: Fletëvotimet pa vulë s’janë të vlefshme

Maqedonia

KSHZ: Fletëvotimet pa vulë s’janë të vlefshme

Më: 27 tetor 2021 Në ora: 15:15
Ilustrim

Një ditë pasi ndryshoi rregullat dhe vendosi t’i konsiderojë si të vlefshme edhe fletëvotimet pa vulë, KSHZ-ja e shfuqizoi vendimin e saj. Fletëvotimet pa vulën e këshillit zgjedhor, nuk do të konsiderohen si të vlefshme. Anëtarët e këshillave që nuk do ta respektojnë këtë dispozitë dhe do të lëshojnë fletë pa i vulosur, do të përballen me padi, theksoi kreu i KSHZ-së Aleksandar Dashtevski.

"Theksoj se këshillat zgjedhore plotësisht duhet ta respektojnë paragrafin 2 të nenit 109 të Kodit zgjedhor dhe detyrimisht të vendosin vule në fletëvotim. Çdo lëshim në këtë pjesë do të trajtohet si lëshim në procedurë dhe nëse vërtetohet veprim i papërshtatshëm i këshillit zgjedhor, mosrespektim i procedurës dhe veçanërisht i nenit 109, paragrafi 2 i Kodit zgjedhor, do të jetë bazë për ngritjen e procedurës penale”, tha Aleksandar Dashtevski, kryetar i KSHZ-së.

Vendimin për të ndryshuar udhëzuesin për fletëvotimet e vlefshme dhe të pavlefshme KSHZ-ja e kishte marrë një ditë më parë pasi Gjykata Administrative kishte theksuar se është e padrejtë që për shkak të lëshimeve të këshillave zgjedhor dhe mungesës së vulës, vota të caktuara të konsiderohen si të pavlefshme

"Më vjen keq që erdhëm në këtë situatë për shkak të vendimit të Gjykatës Administrative dhe me shpalljen e fletëvotimeve pa vulë si të vlefshme erdhi deri rivotimi në një vendvotim, konkretisht në Shuto Orizare. Potencoj, përgjegjësi për këtë gjendje nuk mban KSHZ-ja”, pohoi Boris Kondarko, anëtar i KSHZ-së.

KSHZ-ja një ditë më parë kishte ndryshuar rregullat “e lojës” pa praninë e anëtarit Krenar Lloga i cili më vonë me shkrim njoftoi kolegët e tij se, nëse nuk e rishikonin vendimin, do ta ankimonte atë në Gjykatën Administrative.

Në vendvotimin 2957/1 në Shuto Orizare do të rivotohet për këshillin komunal dhe këshillin e qytetit të Shkupit pikërisht për shkak të parregullsive me votat e pavlefshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat