Flet prokurori pasi u gjet trupi i viktimës së 45-të pas aksidentit tragjik

Maqedonia

Flet prokurori pasi u gjet trupi i viktimës së 45-të pas aksidentit tragjik

Më: 26 nëntor 2021 Në ora: 16:57
Aksidenti i autobusit maqedonas në Bullgari.

Gjatë kontrollit shtesë të autobusit të aksidentuar në autostradën Struma në Bullgari është gjetur edhe një trup i pajetë, duke çuar kështu dhe zyrtarisht numrin e viktimave në 45.

“Në autobusin e djegur është gjetur trupi edhe një udhëtari, i cili është dërguar në Institutin për Hetime në Bullgari. Bëhet fjalë për një person të moshës së re”, ka deklaruar të premten, më 26 nëntor, kryeprokurori i Maqedonisë së Veriut, Lubomir Joveski.

Kryeprokurori i Maqedonisë së Veriut, Joveski, ka thënë se në Shkup kanë arritur prokurorët bullgarë, të cilët gjatë ditës së shtunë do të marrin mostrat nga familjarët e viktimave për të kryer identifikimin e viktimave përmes ADN-së.

Autobusi, i regjistruar në Maqedoninë e Veriut, është përfshirë nga flakët në një autostradë në jugperëndim të Sofjes, mëngjesin e 23 nëntorit, ku për pasojë humbën jetën 45 pasagjerë. Shumica e udhëtarëve nga Maqedonia e Veriut, ishin turistë që ktheheshin nga një udhëtim në Stamboll të Turqisë.

Të enjten, zëvendëskryeprokurori dhe drejtori i Shërbimit Hetimor Kombëtar në Bullgari, Borislav Sarafov, kishte thënë se në vendin e aksidentit janë gjetur trupat e 44 personave, tetë kanë mbijetuar, ndërsa një tjetër rezulton i zhdukur.

Sipas Sarafovit, gabimi njerëzor është dyshimi kryesor që besohet të ketë shkaktuar aksidentimin e autobusit.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat