Xhaferi – Beçiq: Marrëdhënie të shkëlqyera politike

Maqedonia

Xhaferi – Beçiq: Marrëdhënie të shkëlqyera politike

Më: 26 nëntor 2021 Në ora: 18:32
Foto nga takimi

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot kishte takim me Kryetarin e Kuvendit të Malit të Zi, Aleksa Beçiq i cili ka ardhur në vend si pjesëmarrës në Konferencën rajonale “Përmirësimi i dialogut ndërmjet parlamenteve dhe gazetarëve nga Ballkani Perëndimor”, në organizim të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë a mbahet në objektin e Kuvendit.

Pres-shërbimi i Kuvendit kumtoi se Xhaferi, në fillim të takimit iu falënderua Kryetarit Beçiq për pranimin e ftesës në Konferencë, që është edhe një konfirmim për bashkëpunimin e shkëlqyer parlamentar ndërmjet dy dhomave ligjvënëse dhe provë për qasjen serioze ndaj rolit të parlamenteve në mbrojtjen e shprehjes së lirë dhe pavarësisë së mediumeve, prezenca e të cilëve është me rëndësi vitale për demokracinë funksionale dhe qeverisjen e mirë. Në vazhdim e informoi mysafirin për situatën aktuale në vend pas zgjedhjeve lokale dhe pas dorëheqjes së paralajmëruar të Kryetarit të Qeverisë dhe për mënyrën se si do të ndiqet procedura me rregullore për zgjedhjen e Qeverisë së re për një normalizim sa më të shpejtë të funksionalitetit të institucioneve, sidomos duke e pasur parasysh faktin se pritet nxjerrja e Buxhetit të shtetit për vitin 2022. Punë pozitive është që opozita paralajmëroi konstruktivitet në nxjerrjen e Buxhetit.

Kryetari Xhaferi theksoi se krahas marrëdhënieve të shkëlqyera politike në planin bilateral dhe multilateral, është e domosdoshme të bëhen më shumë përpjekje në intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik dhe përsëri e aktualizoi aktivizimin e linjës ajrore Shkup-Podgoricë-Sarajevë, si projekt i domosdoshëm për ndërlidhjen e vendeve.

Kryetari Beçiq falënderoi për ftesën e kryetarit Xhaferi për pjesëmarrje në konferencë dhe që në fillim shprehu ngushëllim për aksidentin tragjik në autostradën Struma, duke shprehur keqardhje ndaj familjeve dhe duke u uruar shërim të shpejtë të lënduarve. Foli për servisin e ri televiziv parlamentar të Malit të Zi, për të cilin janë fitues të çmimit “Kuvendi i qytetarëve” nga Parlamenti Evropian, që është në favor të transparencës së zmadhuar, mbikëqyrjes më të madhe dhe mundësimit të hapësirës më të madhe për veprim të opozitës. Shprehu mbështetje të procesit eurointegrues të vendit, duke informuar se Mali i zi ka ndërhyrë thellë në hapjen e kapitujve dhe se e ofrojnë gjithë ndihmën ndaj institucioneve tona në atë sferë. Politika e zgjerimit të Bashkimit Evropian është interes strategjik edhe i vendeve të Ballkanit Perëndimor mirëpo edhe i vetë Unionit dhe është me domethënie thelbësore që ai proces të përshpejtohet.

Në fund, të dy bashkëbiseduesit ndanë bindjen për një bashkëpunim të mëtejshëm konstruktiv dhe intensiv në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat