Autoritetet shëndetësore nuk planifikojnë masa kufizuese për festat e fundvitit

Maqedonia

Autoritetet shëndetësore nuk planifikojnë masa kufizuese për festat e fundvitit

Më: 22 dhjetor 2021 Në ora: 21:18
Foto ilustrim

Festat e fundvitit nuk do të shoqërohen me masa më të rrepta restriktive. Ministri i Shëndetësisë Venko FIlipce tha se nuk sheh arsye përse t’i shtrëngojë masat kur grumbullime ka gjatë gjithë vitit, shkruan Alsat. Tanimë me javë të tëra shënohet trend i rënies së numrit të të prekurve ndërsa sipas një evidence të re, vaksinimi i popullatës ka arritur 50-55% përfshirë këtu dhe numrin e fëmijëve të vaksinuar. Kjo sipas Filipces nuk krijon frikë për valë të re të të infektuarve.

“Tani për tani nuk mendohen masa restriktive shtesë. Masat mendoj se tani për tani janë të mira. Restriksionet e tanishme mendoj se mjaftojnë edhe në prag të festave sepse grupime të tilla nëpër vende publike ka gjithkund edhe tash sa nuk janë festat. Nuk shoh pse, dhe në mënyrë specifike vetëm për festat e fund vitit të vendosim ndonjë restrikcione shtesë ku mbledhje tani para Vitit të ri, në mënyrë tradicionale ka gjithkund”, deklaroi Venko Filipce, Ministër i Shëndetësisë.

Në Maqedoni ende nuk është regjistruar variant Omikron. Megjithatë, autoritetet thonë vaksinimi është përgjigje ndaj të gjitha mutacioneve.

“Normalisht nuk mund ta parashikojmë, nëse ndonjë variant I ri I virusit do të ndikojë që gjendja e pandeminë të përkeqësohet, prandaj theksin e vendosim te vaksinimi. Tani dalin dhe të dhëna të reja nga studime shkencore, të cilat tregojnë se dukshëm vaksinat kanë efikasitet ndaj variantit më të ri Omikron në momentin që pranohet doza e tretë përforcuese (booster) . prandaj apelojmë për vaksinim, qytetarët të cilët kanë marrë dy doza të pranojnë dhe të tretën”, u shpreh Venko Filipce, Ministër i Shëndetësisë.

Për momentin për hyrje dhe dalje nga shteti në fuqi mbeten masat: vaksinim i plotë me dy doza, test negative PCR ose certifikata e cila dëshmon që personi e ka kaluar virusin para 45 ditëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat