Shkup, parlamenti miraton dorëheqjen e kryeministrit Zoran Zaev

Maqedonia

Shkup, parlamenti miraton dorëheqjen e kryeministrit Zoran Zaev

Më: 24 dhjetor 2021 Në ora: 06:55
Zoran Zaev

Parlamenti i Maqedonisë së Veriut miratoi sot dorëheqjen e kryeministrit Zoran Zaev. Megjithëse qeveria e tij është e dorëhequr, ajo do të qëndrojë në detyrë me një cilësi teknike deri në zgjedhjen e qeverisë së re.

Zoti Zaev nuk u paraqit në seancë, por ia kishte dorëzuar me shkrim letrën e dorëheqjes kryetarit të parlamentit, Talat Xhaferi dhe ligjvënësve.

Ai shkruan se e mori vendimin si hap të logjikshëm dhe reflektim pas rezultatit të zgjedhjeve lokale, ku social-demokratët humbën thellë

Ai tha se rezultati kishte një rëndësi politike kombëtare. Zoti Zaev thekson më tej se për shkak të vlerave demokratike dhe evropiane në të cilat beson, politikisht është e papërgjegjshme para popullit që të vazhdojë ta drejtojë qeverinë drejt rrugës euro-atlantike.

Nga dita e sotme i hapet rruga procedurave për formimin e një qeverie të re. Presidenti maqedonas Stevo Pendarovski duhet që brenda një afati prej dhjetë ditësh t’ia dorëzojë mandatin një përfaqësuesi politik që garanton shumicën e nevojshme prej 61 deputetësh në parlament.

Sipas pritjeve, ky do të jetë pasuesi i zotit Zaev, kryetari i ri i social-demokratëve, Dimitar Kovaçevski. I mandatuari do të ketë një afat prej 20 ditësh për ta dorëzuar në parlament programin dhe emrat e kandidatëve për kabinetin qeveritar.

Shumicës së re parlamentare, ku bëjnë pjesë Lidhja Social Demokrate me partnerët e saj më të vegjël dhe Bashkimi Demokratik për Integrim e Partia Demokratike Shqiptare, i bashkohet edhe partia Alternativa me katër ligjvënësit e saj që e çon numrin në 64 deputetë.

Një pjesë e ministrave të Lidhjes Social Demokrate tashmë kanë bërë të ditur se nuk do të jenë pjesë e kabinetit të ri qeverisës.

Gjatë qeverisjes së kryeministrit Zaev u arrit Marrëvershja e Prespës me Greqinë, duke i dhënë fund problemit shumëvjeçar të emrit të Maqedonisë. Atij i përshkruhen meritat për këtë dhe rrjedhimisht anëtarësimin e vendit në Aleancën Veriatlantike të NATO-s, megjithëse, opozita maqedonase jo rrallë i drejtohej kryeministrit me fjalë fyese, si ‘tradhtar i çështjes kombëtare dhe identitare maqedonase’ për shkak të ndryshimit të emrit në ‘Maqedonia e Veriut’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat