Votohet qeveria e re në Maqedoni, Kovaçevski është kryeministri i ri

Maqedonia

Votohet qeveria e re në Maqedoni, Kovaçevski është kryeministri i ri

Më: 16 janar 2022 Në ora: 23:15
Votohet Qeveria në Maqedoni

Pas shumë debateve mes deputetëve shqiptarë dhe maqedonas nga pozita dhe opozita, në orët e vona të ditës së dielë (16 janar) është votuar Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut, e udhëhequr nga Dimitar Kovaçevski, ish zëvendës ministër i financave në qeverinë e kaluar të udhëhequr nga Zoran Zaev.

Qeveria u votua me vota 62 PËR, vota 46 KUNDËR dhe vota të  0 PËRMBAJTUR, njofton Telegrafi Maqedoni.

Në përmbajtjen e re të qeverisë janë partitë BDI, LSDM, Alternativa, PDSH dhe parti tjera më të vogla, si pjesë e koalicionit të LSDM-së në pushtet.

Nga 21 resore në qeveri, 10 udhëhiqen nga shqiptarët, të ndara në disa parti, në LSDM, BDI dhe në partinë Alternativa.

Në përbërjen e re të qeverisë bie në sy pjesmarrja e vogël e grave në ekzekutiv. Nga 21 ulëse në qeveri, 4 do të jenë gra.

Mandatari dhe tanimë kryeministri i ri i vendit para deputetëve tha se vendi asnjëherë nuk do të jetë i ndarë mes etnive dhe dallimeve tjera, por do të jetë i të gjithëve dhe me këtë qeveri do të tentohet fillimi i negociatave me Bashkimin Evropian, duke tejkaluar edhe kontestin me Bullgarinë.

Qeveria e re u votua në Kuvendin e Maqedonisë, pas dy ditëve të plota debat mes deputetëve të pushtetit dhe opozitës. Temë kryesore e kritikave të opozitës ishte legjitimiteti i Qeverisë së re pasi e njejta zgjidhet në Kuvend dhe jo në zgjedhje.

Përndryshe, ish-kryeministri Zoran Zaev dha dorëheqje nga detyra e kryeministrit dhe kryetarit të LSDM-së, pas humbjes së thellë në zgjedhjet lokale nga OBRM-PDUKM-ja opozitare. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat