Bekim Sali e merr detyrën e ministrit të Shëndetësisë: Do të vazhdoj aty ku e kanë lënë paraardhësit e mi

Maqedonia

Bekim Sali e merr detyrën e ministrit të Shëndetësisë: Do të vazhdoj aty ku e kanë lënë paraardhësit e mi

Më: 17 janar 2022 Në ora: 14:59
Foto nga takimi

Ministri i ri i Shëndetësisë në RMV, Bekim Sali, sot e ka marrë detyrën nga ish-ministri Venko Filipçe, ndërsa pas ceremonisë së pranim-dorëzimit të detyrës, Sali tha se është i vetëdijshëm për përgjegjësinë që e ka.

Ai premtoi se do të angazhohet me shumë përkushtim, që ta bëjë sa më të padallueshme shëndetësinë.

“Do të vazhdoj aty ku e kanë lënë paraardhësit e mi, duke e vlerësuar punën e tyre, por edhe duke e detektuar atë që duhet të adresohet tash e tutje. Unë do të bëj gjithçka që është në fuqinë dhe në kompetencën time që sistemi shëndetësor të jetë më pak i lëndueshëm dhe gjithnjë e më shumë i qëndrueshëm ndaj sfidave me të cilat ballafaqohemi sot dhe me të cilat do të ballafaqohemi në të ardhmen. Krijimi i një sistemi shëndetësor të fuqishëm për mua nënkupton definim të mirë dhe gjithëpërfshirës të problemeve dhe parregullsive sistemore dhe qasje të koordinuar dhe në kohë të zgjidhjes së tyre”.

“Prioritet i punës sime si ministër do të jetë para së gjithash preventiva dhe qasja e barabartë në shërbime shëndetësore, si dhe rritja e fuqizimi i kapaciteteve në sistemin shëndetësor dhe udhëheqja e mirë, por edhe koordinimi dhe konsistenca në avancimin dhe zbatimin e politikave të punës së vlefshme. Përveç kësaj, pa asnjë kompromis do të angazhohem në përmirësimin e statusit dhe kushteve në të cilat funksionojnë punëtorët shëndetësorë dhe personeli mjekësor. Në krejt këtë me rëndësi është koordinimi dhe bashkëpunimi në të gjitha nivelet dhe me të gjithë aktorët relevantë. Duke punuar bashkërisht, ne do t’i ndihmojmë edhe vetes, por edhe qytetarëve. Në asnjë moment nuk guxojmë të harrojmë se pas secilës statistikë gjenden qytetarët, të cilët janë të prekur në mënyrë të drejtpërdrejtë nga ajo që ndodhë në shëndetësi”, deklaroi mes tjerash Sali.

Ai gjithashtu tha se punën e tij do ta kryej me transparencë e përgjegjësi maksimale, si dhe me qasje të hapur në komunikimin me opinionin.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat