​Kovaçevski dhe Petkov zotohen për bashkëpunim, marrëveshje për emrin Maqedonia e Veriut

Maqedonia

​Kovaçevski dhe Petkov zotohen për bashkëpunim, marrëveshje për emrin Maqedonia e Veriut

Më: 18 janar 2022 Në ora: 14:44
​Kovaçevski dhe Petkov

Kryeministri bullgar Kiril Petkov qëndroi për një vizitë zyrtare në Shkup ku u prit nga kryeministri i ri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski. Megjithëse me një gjuhë të përmbajtur, të dy kryeministrat gjatë konferencës së përbashkët për media u zotuan për komunikim të rregullt dhe punë në zgjidhjen e çështjeve që po mbajnë pezull procesin e integrimeve të vet Maqedonisë së Veriut e rrjedhimisht edhe të Shqipërisë.

Kovaçevski njoftoi se është arritur marrëveshja që Bullgaria mos të pengojë përdorimin e emrit të shkurtër të vendit të tij, respektivisht emrin Maqedonia e Veriut në institucione ndërkombëtare.

Kovaçevski: Arritëm marrëveshje për përdorimin e emrit 

“Sot me kryeministrin Petkov u pajtuam se Bullgaria pranon që të përdorë emrin e shkurtër ‘Maqedonia e Veriut’ njëjtë si emrin më të gjatë ‘Republika e Maqedonisë së Veriut’, pra Bullgaria nuk do ta frenojë përdorimin e emrit të shkurtër në asnjë proces shumëpalësh ose dypalësh dhe njëkohësisht Maqedonia e Veriut përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme do t’i dërgojë një notë verbale të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për përdorimin e emrave tanë të shkurtër dhe të gjatë ku theksohet se të dy emrat njëkohësisht të vlefshëm dhe ku vërtetohet mungesa e çdolloj implikimi në integritetin territorial të Bullgarisë”, tha Kovaçevski.

Të dy kryeministrat janë pajtuar që të ngrihen edhe grupe punuese në fushën e infrastrukturës, ekonomisë, tregtisë, inovacioneve, eurointegrimeve dhe në arsim e kulturë. 

Kryeministri bullgar, Kiril Petkov, tha se do të përqendrohen më shumë në çështjet që i bashkojnë të dy vendet, ndërsa për çështje ku ka pikëpamje të ndryshme do të ketë kohë më të gjatë për trajtimin e tyre.

Petkov: Do të fokusohemi në çështjet që na bashkojnë

“Dua të them se për dallim të mënyrës së deritanishme, këto takime do të jenë çdo javë me mundësitë reale të të gjitha Komisioneve, përfshi edhe Komisionin Historik. Do të jemi të vëmendshëm në punët që na bashkojnë, ndërsa çështjet që nuk i kemi sqaruar, do t’u japim më tepër afat. Ajo që është më rëndësi është të punohet, të jemi në komunikim të rregullt. [...] Ne absolutisht mbështesim përcaktimin e të gjithë qytetarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut si dhe përdorimin e të gjitha gjuhëve tuaja siç përshkruhet në kushtetutë”, tha Petkov.

Bullgaria ka vendosur veto ndaj Maqedonisë së Veriut për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian për shkak se Sofja kërkon të arrihet një marrëveshje për identitetin dhe gjuhën maqedonase, duke kërkuar që Shkupi të pranojë se maqedonasit ekzistojnë që nga viti 1945 dhe se para kësaj periudhe ata kanë pasur prejardhje bullgare.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë në një “paketë” në procesin e anëtarësimit, por vetoja bullgare ndaj Shkupit ka bërë që edhe Tirana zyrtare të mbetet pezull, përkundër plotësimi të kushteve për hapjen e negociatave. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat