Virusi, ISHP: Rritje prej 34 për qind të rasteve të reja, brenda një jave

Maqedonia

Virusi, ISHP: Rritje prej 34 për qind të rasteve të reja, brenda një jave

Më: 18 janar 2022 Në ora: 15:14
Foto ilustrim

Për 33,9% është rritur numri i të infektuarve me virusin korona brenda një jave. Raporti i Institutit të Shëndetit Publik tregon se nga data 10-16 janar janë regjistruar rreth 11,200 raste pozitive në 35 qytete, shkruan Alsat. Numri më i madh i infektimeve është regjistruar në Shkup, ndërsa incidencë javore më e lartë është regjistruar në qytetin e Krushevës.

“Më e theksuar është rritja e rasteve pozitive tek moshat mbi 60 vjeçare dhe tek mosha 50-59 krahasuar me një javë më parë. Është regjistruar ulje minimale e rasteve të të prekurve tek moshat nga 20-29 vjeçe dhe tek moshat nga 10-19 vjeçare. Janë regjistruar 55 vdekje në 15 qytete të vendit gjatë javës së shkuar, që është për 34,1% më e lartë në krahasim me javën e kaluar”, njoftojnë nga Instituti i Shëndetit Publik.

Pavarësisht rritjes së ndjeshme të rasteve të reja me Kovid-19, MPJ njoftoi se Bullgaria e ka hequr Maqedoninë e Veriut nga lista e shteteve të cilat nuk mund të depërtojnë brenda kufijve bullgar, pa pasur nevojë thelbësore.

“Maqedonia e Veriut vazhdon të jetë në të ashtuquajturën “Zonë e kuqe”, por me vendimin e ri hiqen kufizimet e hyrjes për nevoja jo thelbësore. Përkatësisht, me vendimin e fundit të autoriteteve bullgare, i cili do të hyjë në fuqi më 20 janar, të gjithë shtetasve të Maqedonisë u lejohet hyrja në Bullgari, duke paraqitur një certifikate të vlefshme vaksinimi kundër KOVID-19 ose certifikatë të kalimit të sëmundjes, së bashku me një test negativ PCR jo më të vjetër se 72 orë. Për hyrjen e të miturve nga 12 deri në 18 vjeç, testi PCR negativ është gjithashtu i detyrueshëm”, njoftojnë nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Lidhur me rregullativën e fundit të Komisionit Evropian, sipas të së cilës nga 1 shkurti doza e tretë do të jetë e detyrueshme për hyrje brenda territorit të BE-së, KE në një përgjigje me shkrim për ALSAT është shprehur se të gjitha masat rishqyrtohen në mënyrë të vazhdueshme dhe asnjë masë nuk është e pa ndryshueshme.

“Kufizimet për udhëtim në BE janë vetëm masa të përkohshme të krijuara për të ndihmuar në përfundimin e pandemisë sa më shpejt të jetë e mundur. Ato i nënshtrohen rishikimit të vazhdueshëm dhe përditësohen rregullisht për të pasqyruar zhvillimet më të fundit. Për udhëtimet brenda BE-së, BE-ja përdor Certifikatën Dixhitale të BE-së për COVID për të lejuar evropianët të rifillojnë udhëtimin e sigurt. Certifikata Dixhitale e BE-së për COVID mbulon vaksinimin, testin dhe rikuperimin nga COVID-19”, thonë nga Komisioni Evropian.

Rregullativa e KE-së parasheh që çdo person i cili ka kaluar 8 muaj nga marrja e dozës së dytë, gjatë hyrjes në BE të jetë i imunizuar me dozën e tretë, apo në të kundërtën t’i nënshtrohet karantinës apo të posedojë test PCR si dhe certifikatë vaksinimi për dy doza.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat