Kovaçevski – Borissov: Të vazhdojë përkrahja nga Bullgaria për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE

Maqedonia

Kovaçevski – Borissov: Të vazhdojë përkrahja nga Bullgaria për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE

Më: 25 janar 2022 Në ora: 20:34
Pamje nga takimi

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, përveç programit të vizitës së tij zyrtare në Bullgari, zhvilloi edhe disa aktivitete të tjera, ndër të cilat edhe takimin me Bojko Borisovin dhe kryesinë e partisë GERB.

Në takim, siç kumtoi shërbimi për shtyp i Qeverisë, në të cilin morën pjesë edhe Artan Grubi zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i sistemit politik dhe marrëdhënieve ndërmjet bashkësive, Sllavica Gërkovska, zëvendëskryeministre përgjegjëse për politika të qeverisjes së mirë, Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme dhe Bisera Kostadinovska-Stojçevska, ministre e Kulturës, kryeministri Kovaçevski theksoi se Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria po fillojnë një proces të ri të bashkëpunimit për të siguruar intensifikimin dhe thellimin e bashkëpunimit sektorial.

Kovaçevski theksoi në takim se Qeveria e Maqedonisë së Veriut është e gatshme për rezultate të dukshme dhe të matshme të interesit real të qytetarëve që fokusohen në rivendosjen e besimit mes dy popujve për të riafirmuar marrëdhëniet miqësore dhe për të inkurajuar dialogun politik për zgjidhjen e çështjeve delikate që u hapën mes dy vendeve.

Për këtë, në seancën e sotme të përbashkët, ka theksuar kryeministri Kovaçevski në takimin me Borisovin, janë formuar grupe punuese për disa fusha të veçanta që kanë përcaktuar planet e veprimit për prioritetet më të rëndësishme, siç është Korridori 8.

Kryeministri Kovaçevski në takimin me kryetarin e GERB-it, Bojko Borisov, theksoi se pret që kjo parti, edhe pse tani në opozitë, të vazhdojë me politikat për të mbështetur Maqedoninë e Veriut në aspiratat e saj për anëtarësim në BE.

Kryetari i GERB-it, Borisov theksoi se procesi i nisur duhet të përdoret për tejkalimin e dallimeve në mënyrë që të rikthehet besimi si kontribut për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat