Drejtori i ISHP Maqedoni: Varianti ri i virusit detektohet veç me PCR test

Maqedonia

Drejtori i ISHP Maqedoni: Varianti ri i virusit detektohet veç me PCR test

Më: 26 janar 2022 Në ora: 17:48
Foto ilustrim

Shifrat e infektimeve nga varianti Omicron kanë arritur majat. Brenda 24 orëve të fundit u regjistruan 2,341 raste apo mbi 38% e testeve të bëra nga gjithsej 6,193..

Shifër kaq të lartë nuk ka pasur që nga piku i valës së vjeshtës. Bilanci i diagnostikimeve pozitive mbetet në shifrat e rreth 2 mijë rasteve në ditë, që nënkupton se varianti Omicron ka arritur pikun e valës së pestë të pandemisë.

“Sa i takon detektimit të mutacionit gjenetik të Sars-Cov-2 kryesisht detektohet sekvencionimi gjenetik nëpërmjet procedurës molekulare diagnostike PCR dhe nuk bëhet me test antigjen të shpejt apo rapid teste. Këto janë rekomandimet dhe protokollet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë”, tha Shaban Mehmeti, Drejtor i ISHP-së.

Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik në javën ndërmjet 17-23 janarit janë bërë 15% më pak teste se java paraprake, por rritja rasteve pozitive është shënuar për 4,5% më shumë se një javë më parë. Re infektimet mbeten në shkallë të lartë, citohet ky raport javor i ISHP-së.

“Gjatë javës së kaluar janë paraqitur 1,559 ri infektime apo një rritje prej 25% për dallim nga java parë.
Të shëruar janë evidentuar 7,627 pacientë, ndërsa të infektuar dolën 11,610 pacientë. U paraqiten 97 raste të vdekjes apo 76,4% më shumë se java paraprake. Dy ndërmjet moshës 30-39 vjeç, dy të tjerë ishin në të 50-tat, tetë pacientë ishin në të 60-tat, si dhe 85 pacientë të tjerë ishin mbi moshën 60 vjeçe”,
thuhet në raportin javor të Institutit të Shëndetit Publik

Sipas infektologëve komplikimet shëndetësore të shkaktuara nga varianti omicron mbeten rrezik potencial për jetën e të moshuarve dhe të atyre me sëmundje kronike. Infektologu Fadil Cana tha se Klinika Infektive në Shkup mbetet e mbushur. Sipas tij, parregullsitë e administratës së kaluar të ministrit Filipçe, kanë lënë pasoja të dukshme në menaxhimin e krizës së pandemisë. Cana tha se edhe varianti më i lehtë i CoVid-19 po arrin të çoj në prag të kolapsit sistemin shëndetësor.

“Ajo që dihet, atë që e la si rezultat ish-administrata e ish ministrit të shëndetësisë që kovid qendra të ngelet Klinika infektive, reparti infektiv i ‘8 Shtatorit’ dhe Instituti i TBC-së. Gati edhe këto kapacitete janë të mbushura që do të thotë se nuk u realizua ajo e cila me pompozitet me ikjen e atij u dëshmua se mbaro kovidi, por përkundrazi virusi është mes nesh dhe vazhdon të bëj probleme, andaj duhet një menaxhim i mirëfilltë nga administrata e re, të cilës normalisht që duhet ti jepet kohë”, deklaroi Fadil Cana, Infektolog.

Aktualisht, në repartet infektive dhe kovid qendrat e vendit janë të hospitalizuar 573 persona, prej tyre 180 në Shkup dhe 393 të tjerë në repartet infektive të klinikave në gjithë shtetin

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat