“Megjashi”: Të rishqyrtohet vendimi për fillimin e gjysmëvjetorit të dytë me prani fizike

Maqedonia

“Megjashi”: Të rishqyrtohet vendimi për fillimin e gjysmëvjetorit të dytë me prani fizike

Më: 28 janar 2022 Në ora: 19:51
Foto ilustrim

Ambasada e parë e fëmijëve në botë “Megjashi” kumtoi se ka dërguar kërkesë te Qeveria dhe Komisioni për Sëmundje Infektive me qëllim që të rishqyrtohet vendimi për fillim të gjysmëvjetorit të dytë me prani fizike të nxënësve.

Nga “Megjashi” potencojnë se kanë organizuar debat publik me temën “Interesi më i mirë për fëmijët – pro dhe kundër mbajtjes së maskës dhe testimit në shkolla”, i emituar në rrjetet sociale më 27 janar në të cilën përveç mediumeve ishte ftuar edhe gjithë opinioni.

Në debat diskutuan dr. Mimi Kimovska Hristov nga Klinika Universitare për Sëmundje të Fëmijëve, dr. Zllate Mehmedoviq nga Shtëpia Shëndetësore Shkup, dr. Besnik Zeqiri nga Instituti për Sëmundje të Mushkërive te Fëmijët, prof.dr. Nikolla Panovski nga Fakulteti i Mjekësisë pranë USHCM-së dhe Ana Poprizova, psokologe shkollore.

“Në një pjesë të konkluzioneve nga debati i djeshëm citohet se numri i fëmijëve të sëmurë që janë paraqitur në Institutin për Sëmundje të mushkërive në periudhën nga fundi i dhjetorit të vitit 2021 – fillimi i gjysmëvjetorit të dytë në janar është rritur dyfish nga numri i zakonshëm gjatë valëve paraprake të virusit. Duke e marrë parasysh gjendjen rrjedhëse të të sëmurëve nga koronavirusi të gjithë panelistët u dakorduan se e domosdoshme është të mendohet nëse fillimi i mësimit me prani fizike është mënyra më adekuate e vazhdimit të mësimit ose është më mirë të fillohet të paktën dy javë më vonë ose onlajn. Qëndrimet e shumicës së panelistëve rreth mbajtjes së maskave është se duhet të mbahen në hapësira të mbyllura, ndërsa të gjithë janë kundër mbajtjes së obligueshme të maskave në vend të hapur dhe se është e dëshirueshme të bëhen testime një herë në javë në shkolla”, thonë nga Megjashi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat