Beteja e partive të vogla në Maqedoni për një njësi zgjedhore

Maqedonia

Beteja e partive të vogla në Maqedoni për një njësi zgjedhore

Më: 14 maj 2022 Në ora: 17:08
Foto ilustrim

Pavle Trajanov, deputet i Lidhjes Demokratike në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, është ndër deputetët më të zëshëm në kërkesën për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, respektivisht ndryshimin e modelit nga gjashtë në një njësi zgjedhore, me lista të hapura dhe pa prag zgjedhor.

Në Maqedoninë e Veriut janë rreth dhjetë parti të vogla të cilat në zgjedhje bëjnë koalicione parazgjedhore me partitë e mëdha, siç janë Lidhja Social Demokrate (LSDM) dhe OBRM-PDUKM, në mënyrë që të mund të përfaqësohen në Kuvend.

Pavle Trajanov, mandatin e deputetit e mori me listën e LSDM-ë, por nëse Maqedonia e Veriut bëhet një njësi zgjedhore, atëherë, sipas tij, partitë e vogla mund të garojnë të pavarura dhe të fitojnë mandate në Kuvend.

Por, Trajanov nuk beson se partitë e mëdha do të pranojnë këtë ndryshim edhe pse publikisht kanë premtuar një gjë të tillë.

“Partitë e mëdha, ato që janë të etabluara në skenën politike, bëjnë gjithçka të mundur që të mos ketë kushte për garë të barabartë në zgjedhje. Janë pikërisht këto parti që frenojnë reformat për të pasur një Kod Zgjedhor demokratik, që do të mundësonte një garë të barabartë dhe përfaqësim të të gjitha partive në Kuvend. Ato duan të mbajnë monopolin, të ketë qasje te fondet që ndahen për fushatën zgjedhore. Janë shuma të majme parash, prandaj ato nuk janë të interesuara për ndryshime”, thotë Trajanov.

Kundër ndryshimit të modelit zgjedhor janë shprehur partitë shqiptare pasi druajnë se me modelin me një njësi zgjedhore mund të humbin vota të zgjedhësve shqiptarë. Votuesit shqiptarë janë të përqendruar në tri nga gjashtë njësi zgjedhore.

Ndryshe, kërkesën për një njësi zgjedhore, Pavle Trajanov e aktualizoi para njoftimit nga Ministria e Drejtësisë për hapjen e debatit publik për hartimin e një Kodi të ri Zgjedhor.

Ministri i Drejtësisë i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Tupançevski, nuk dha detaje se çfarë do të përmbajë Kodi i ri Zgjedhor, pasi sipas tij, nga grupi i punës do të varet nëse do të pranohet ose jo edhe kërkesa për ndryshimin e njësive zgjedhore.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat