Marzhe të kufizuara në dyqane edhe për dy javë të tjera

Maqedonia

Marzhe të kufizuara në dyqane edhe për dy javë të tjera

Më: 14 maj 2022 Në ora: 21:29
Foto ilustrim

Masa për kufizimin e marzheve të produkteve ushqimore bazë në tregtinë me shumicë dhe pakicë do të jetë në fuqi edhe për dy javë të tjera. Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha sot se janë duke u bërë analiza se si të rimodelohet kjo masë e cila është miratuar për të parandaluar goditjen e çmimeve në Maqedoni. Kovaçevski siguron se nuk dëshiron që masat e qeverisë të ndikojnë negativisht në punën e kompanive private që prodhojnë ushqime.

“Në Ministrinë e Ekonomisë bëhen çdo ditë analiza se sa do të jenë të qëndrueshme këto masa dhe si do të modifikohen, duke qenë se objektet e prodhimit nuk duhet t’i vendosim në një situatë që duhet të punojnë me humbje, sepse në atë rast do të bëhet jolikuide”, tha Dimitar Kovaçevski-Kryeministër

Pikëpamja e biznesmenëve është se marzhi i kufizuar është një masë më e mirë se çmimet e ngrira të produkteve ushqimore bazë. Por, megjithatë shtojnë se kufizimi i profitit nuk rezulton të jetë një garanci që çmimet përfundimtare nuk do të vazhdojnë të rriten. Pas një sërë rritjesh të çmimeve për lëndët e para, energjisë elektrike, transportit, madje edhe fuqisë punëtore me rritjen e pagës minimale, kompanitë tashmë kanë llogaritur në çmime të reja më të larta për shumicën e produkteve të tyre.

“Kjo është një zgjidhje e pjesshme, sepse sërish prodhuesit ku në hyrje janë rritur ndjeshëm inputet, e kam fjalën për çmimin e energjisë elektrike ku është rritur 400 për qind, karburantet, lëndët e para janë rritur nga 60 në 80 për qind, . paga minimale, e diela ditë jopune, e gjithë kjo reflektohet në anën e hyrjes gjatë prodhimit të produkteve”, tha Goran Georgievski Kryetar i Odës së Agro-Biznesit në LOE

Për qytetarët, marzhet e kufizuara nuk dhanë efektin e dëshiruar. Për fuqinë blerëse ankohen çdo ditë se është ulur ndjeshëm, pagat e shumicës së punëtorëve kanë ngecur dhe çmimet janë ngritur në qiell. Maqedonia ka hyrë në inflacion dyshifror, që nuk e ka pasur që nga pavarësimi nga Jugosllavia. Ekspertët paralajmërojnë se çmimet do të rriten deri në fund të vitit, por pavarësisht stabilizimit të paralajmëruar, por janë skeptikë se ulja e kostove të qytetarëve do të ndodhë së shpejti.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat