Katër të burgosur në burgun e Shtipit në grevë urie

Maqedonia

Katër të burgosur në burgun e Shtipit në grevë urie

Më: 21 qershor 2022 Në ora: 14:22
Foto ilustrim

Katër të dënuar në SHNP – Burgu i Shtipit kanë hyrë në ditën e dytë të grevës së urisë. Familjarët e të burgosurve thonë se deri te kjo situatë ka ardhur pasi të drejtat në burg nuk kanë vlejtur për të gjithë njësoj.

Revolta vjen për faktin se një i dënuar është transferuar nga pjesa e mbyllur e hapësirës në atë gjysmë të hapur edhe pse atje ka qenë në periudhë më të shkurtër kohore se ta. Drejtori i burgut të Shtipit, Miki Todorov edhe pse është në pushim vjetor për AIM konfirmon se të dënuarit janë në grevë, mjeku sot në mëngjes u ka bërë kontrolle dhe se gjendja e tyre shëndetësore është e mirë. Ai me përgjegjësi pohon se asnjë e drejtë e personave të dënuar nuk është shkelur.

“Në fletoren kryesore të burgut nga dita e djeshme është shënuar se katër persona të dënuar janë në grevë urie. Nga ana e tyre nuk është theksuar arsyeja e grevës, gjegjësisht shkruhet se e njëjta do të sqarohet para institucioneve. Persona në grevë janë kontrolluar nga mjeku i burgut dhe infermierja nga Shtëpia shëndetësore ku është konstatuar se janë në gjendje të mirë shëndetësore”, deklaroi Todorovi.

Ai tha se personi i dënuar i cili ka qenë në pjesën e mbyllur dhe tani është transferuar në pjesën gjysmë të mbyllur është për shkak të gjendjes së tij shëndetësore dhe me rekomandim të mjekut.

“Personi i dënuar është transferuar nga pjesa e mbyllur në atë gjysmë të mbyllur të burgut sepse këtë e kërkonte gjendja e tij shëndetësore. Duhet të kalojë më shumë kohë në ajër. Sa u përket kërcënimeve, unë nga e premtja jam në pushim vjetor dhe nuk kam pasur asnjë kontakt me personat e dënuar. Deri tani në burg asnjërit nga të dënuari nuk i është marrë e drejta që i takon”, deklaroi Todorovi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat