Artan Grubi: Dora e Rusisë është shumë e zgjatur dhe aktive në Maqedoninë e Veriut

Maqedonia

Artan Grubi: Dora e Rusisë është shumë e zgjatur dhe aktive në Maqedoninë e Veriut

Më: 28 qershor 2022 Në ora: 00:31
Artan Grubi

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, e ka komentuar përleshjen që ndodhi sot në Komisionin për Çështje Evropiane mes deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe Arbër Ademit, kryetar i këtij komisioni.

Ai, në Edicionin Special, ka theksuar se Rusia ka ndikim të madh në Maqedoninë e Veriut.

“Më vjen shumë keq për atë që ndodhi, ishin skena të pahijshme, nuk kanë vend në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. E vlerësoj se këto janë si tentativë për defokusim të opinionit dhe politikës nga prioritetet qe i kemi, siç është zgjidhja e çështjes bilaterale me Bullgarinë, e cila po na pengon për marrjen e datës për fillim të negociatave në Bashkimin Evropian, si dhe zhvillimin e projekteve infrastrukturore me Kosovën”.

“Dora e Rusisë është shumë e zgjatur dhe shumë aktive në Republikën e Maqedonisë së Veriut, jemi ndoshta vendi i vetëm  në rajon i cili ka një degë të partisë së presidentit rus Vladimir Putin, këtu në Maqedoninë e Veriut me ndikim edhe në politikat parlamentare sepse e dini që parti parlamentare të Maqedonisë së Veriut po zhvillonin takime me autoritetet ruse dhe po zhvillonin vizita në Moskë, gjatë kësaj periudhe kur po zhvillohet agresioni rus në Ukrainë. Unë vlerësoj se është pjesë e një skenari destabilizues për shtetin të cilit ne nuk duhet t’ia bëjmë hyzmetin, duhet të angazhohemi në agjendën tonë amerikane dhe evropiane”, ka thënë Grubi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat