SHBA mirëpret përpjekjet e Francës për të hequr veton bullgare, e gatshme për të lehtësuar kompromisin

Maqedonia

SHBA mirëpret përpjekjet e Francës për të hequr veton bullgare, e gatshme për të lehtësuar kompromisin

Më: 28 qershor 2022 Në ora: 08:48
Foto ilustrim

Shtetet e Bashkuara mirëpresin përpjekjet e Francës për të arritur një zgjidhje të suksesshme dhe mbeten të gatshme për të luajtur një rol konstruktiv në lehtësimin e kompromisit, tha për Zërin e Amerikës një zëdhënës i Departamentit të Shtetit kur u pyet se si e komentuan propozimin e Parisit për të hequr veton e Bullgarisë për integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE.

“Duke pasur parasysh rëndësinë e këtij procesi për vendet e rajonit dhe për Evropën në përgjithësi, ne shpresojmë që përpjekjet diplomatike do të vazhdojnë dhe ne do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetjen tonë aty ku është e dobishme.

Mirëpresim përpjekjet e Francës për të arritur një zgjidhje të suksesshme për fillimin e negociatave zyrtare sa më shpejt të jetë e mundur. Negociatat janë ende në vazhdim dhe ne mbetemi të gatshëm të luajmë një rol konstruktiv në lehtësimin e kompromisit”, tha zëdhënësi.

Në deklaratë thuhet se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria i kanë hedhur themelet dhe se tani është koha për të ecur përpara në fazën tjetër të procesit të anëtarësimit.

“Shtetet e Bashkuara janë një mbështetëse e fortë e integrimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE. Ne besojmë se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është tërësisht në BE. Procesi i zgjerimit promovon paqen afatgjatë, stabilitetin dhe prosperitetin në të gjithë rajonin”, thuhet në deklaratë, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara marrin parasysh “deklaratat e shumta të bëra nga liderët e BE-së për rëndësinë e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE për të forcuar sigurinë e Evropës, si dhe për sigurinë tonë kolektive”.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat