Tregtarët e peletit në Maqedoni presin rritje të reja të çmimeve

Maqedonia

Tregtarët e peletit në Maqedoni presin rritje të reja të çmimeve

Më: 7 gusht 2022 Në ora: 13:01
Foto ilustrim

Përmes ndalimit të eksporteve deri në fund të vitit dhe rritjes së inspektimeve në pikat e shitjes, autoritetet po përpiqen të parandalojnë një rritje të pajustifikuar të çmimeve të peletit dhe druve të zjarrit në prag të sezonit të ri të ngrohjes.

Pas reagimeve të qytetarëve se çmimet e drurit apo peletit për t’u ngrohur në sezonin e dimrit kanë shënuar rritje, Qeveria së fundi ka marrë vendim për të kufizuar eksportin e druve të zjarrit dhe peletit deri në fund të vitit dhe ka paralajmëruar shtim të kontrolleve inspektuese në pikat e shitjes së peletit në të cilat do të kontrollohet nëse kompanitë i fshehin qëllimisht për t’i shitur me çmim më të lartë gjatë periudhës së dimrit.

Në seancën e 63-të të Qeverisë, të mbajtur më 20 korrik të këtij viti, Inspektorati Shtetëror i Tregut (ISHT) është udhëzuar që të bëjë inspektime të jashtëzakonshme te tregtarët e peletit, me qëllim të përcaktimit të çmimit të shitjes, kapaciteteve dhe sasive të disponueshme në treg.

Në vetëm një javë, ISHT zbuloi shtatë parregullsi midis tregtarëve të peletit.

Prej aty informuan se në periudhën prej 22 deri më 28 korrik të këtij viti, kanë kryer gjithsej 131 kontrolle të jashtëzakonshme te tregtarët e peletit në mbarë vendin, ku është konstatuar se çmimi i shitjes së peleti varion nga 15 deri në 26 denarë për kilogram, me diferencë prej 8 deri në 65 për qind, dhe nga 220 deri në 390 denarë për një qese prej 15 kilogramësh, përkatësisht diferencë prej 10 deri në 40 për qind varësisht nga lloji i peletit.

Stoku i përgjithshëm i peletit i përcaktuar nga inspektorët arrin në 5.696.600 kilogramë, ndërsa kapaciteti prodhues është përcaktuar në tetë subjekte.

Shitësit e peletit kanë frikë se nuk do të ketë import të mjaftueshëm dhe presin rritje të çmimeve.

Në vend janë tetë kompani prodhuese të paletave që plotësojnë rreth 20 përqind të nevojave të tregut vendas, ndërsa dhe 80 përqind e nevojave plotësohen nga importi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat