200 zjarre në Pollog për shkak të oxhaqeve

Maqedonia

200 zjarre në Pollog për shkak të oxhaqeve

Më: 26 shtator 2022 Në ora: 19:43
Foto ilustrim

Si pasojë e mos pastrimit të oxhaqeve, vetëm vjeshtën e vitit të kaluar njësia e zjarrfikësve në Tetovë ka intervenuar në 200 zjarre. Këto zjarre kanë qenë në objekte banimi si pasojë e mos pastrimit në kohë. Me këtë, ata kanë rrezikuar jetën e tyre dhe të banorëve për rreth, pohojnë nga Njësia e Zjarrfikësve në Tetovë. Duke marrë parasysh se jemi në prag të sezonit dimëror, dhe qytetarët do të fillojnë të përdorin mjetet për ngrohje, apelohet deri tek qytetarët që në këtë periudhë kohore të bëjnë pastrimin e oxhaqeve në objektet e banimit dhe objektet afariste.

Nëse brenda vitit në Tetovë dhe rrethinë regjistrohen rreth 500 zjarre, pothuajse gjysma e tyre janë si pasojë e mospastrimit të oxhaqeve.

“Ajo që është më brengosëse, nga përvoja, janë objektet shumëkatëshe që janë në qytetin e Tetovës. Në këto raste hasim në shumë probleme pasi që objektet janë mbi dhjetë kate dhe shumica e qytetarëve përdorin dru për ngrohje. Qytetarët dhe këshillat banesor obligohen edhe me Ligj që të bëjnë pastrimin e oxhaqeve dy herë brenda vitit. Duke pastruar oxhaqet do të mbrohen objektet dhe familjet nga paraqitja e zjarreve”, thotë Avni Ahmeti, komandant i Njësisë së Zjarrfikësve në Tetovë. Poashtu, problem paraqet edhe intervenime nëpër ndërtesa. Shpeshherë zjarrfikësit hasin në pengesa të ndryshme. Prandaj apelohet që mos lihen gjësende nëpër shkallët e banesave. Qytetarët në këtë rast duhet që të jenë shumë të kujdesshëm kur tentojnë shuarjen e zjarrit në oxhaqe.

“Njëkohësisht të bëhet edhe kontrollimi i aparateve për ngrohje, për një siguri më të lartë nga paraqitja e zjarreve në periudhën e dimrit, të cilat mund të jenë edhe fatale për jetën e njeriut. Urojmë që këtë dimër ta kalojmë pa ndonjë paraqitje të zjarreve, pasi që tashmë dihet se zjarret lënë pasoja nga më të ndryshmet, andaj duam që qytetarët tanë të jenë më të sigurt dhe më të mbrojtur”, tha komandanti i Njësisë së Zjarrfikësve në Tetovë.

Ndërkaq, nga policia e Tetovës, thonë se shpeshherë zjarret shkaktohen nga oxhaqet e dëmtuara apo të papastruara dhe kjo dukuri përsëritet çdo vit sidomos gjatë sezonit të ngrohjes. Sektori për Punë të Brendshëm në Tetovë apelon deri tek qytetarët që në kohë të pastrojnë oxhaqet para fillimit të sezonit dimëror, por edhe gjatë gjithë kohës të kontrollohet gjendja e tyre, ngase mjafton një shkëndijë nëse të njëjtit që të shkaktojë zjarr, kurse pasojat janë të parapashikueshme. Oxhaqet duhet që të pastrohen pasi edhe me ligj qytetarët obligohen që ti pastrojnë dy herë në vit.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat