Maqedonia nuk i planifikon në kohë transplantimet e zemrës

Maqedonia

Maqedonia nuk i planifikon në kohë transplantimet e zemrës

Më: 15 nëntor 2022 Në ora: 23:17
Foto ilustrim

Njerëzit me mbështetje mekanike të zemrës kanë frikë për jetën e tyre. Bëhet fjalë për pacientë, zemra e të cilëve nuk mund të funksionojë në mënyrë të pavarur, andaj duhet të mbajnë në trupin e tyre një lloj pompe me bateri ose rrymë që e qarkullon gjakun. Por këto pajisje kanë jetëgjatësi prej pesë viteve. Ky afat u ka skaduar tashmë dhjetëra personave, por shteti ende nuk ka njoftuar se do të thirren për transplantim nga ndonjë donator i vdekur. Në tre vitet e fundit, rreth dhjetë pacientë të tillë kanë vdekur për shkak të pakujdesisë së autoriteteve, shprehen nga shoqata “Zemra e guximshme”.

“Ka pacientë që i mbajnë pompat katër vjet kurse garancia e prodhuesit për këtë lloj pompe është deri në pesë vjet… e dimë se do të flemë, por nuk e dimë nëse do të zgjohemi”, tha Vasko Joleski – kryetar i shoqatës “Zemra e guximshme”.

Edhe pse disa herë kanë kërkuar takim me ministrin e Shëndetësisë, deri më tani nuk ka ndodhur.

“Kemi pasur dy takime të planifikuara. Unë shkova në vendngjarje në krizën më të madhe të Covid-it, por fatkeqësisht ministri nuk na priti. Në shumicën e rasteve, pacientët me mbështetje mekanike, nuk vdesin nga problemi në zemër, por nga komplikime me sulme në tru, për shkak të koagulimit të gjakut, e prodhuar nga vetë pompa”, deklaroi Vasko Joleski – kryetar i shoqatës “Zemra e guximshme”.

Në Maqedoninë e Veriut aktualisht janë rreth 20 persona me mbështetje mekanike të zemrës, gjysma e të cilëve janë të rinj. Ndryshe nga te ne, jashtë vendit, thonë nga shoqata, këta persona kanë përparësi gjatë transplantimit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat