Presidenti i Gjermanisë nesër për vizitë zyrtare në Shkup

Maqedonia

Presidenti i Gjermanisë nesër për vizitë zyrtare në Shkup

Më: 28 nëntor 2022 Në ora: 12:02
Frank-Walter Steinmeier

Presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, nesër vjen për vizitë zyrtare dyditore në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Vizita e Steinmeier , sipas ueb-faqes zyrtare të presidentit gjerman, duhet të fokusohet në situatën në rajon, ndikimin e luftës agresive të Rusisë në Ukrainë dhe mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për perspektivat e vendit për anëtarësim në BE.

Kjo është vizita e parë e presidentit federal Steinmeier në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Në Shkup, siç është paralajmëruar, më 29 dhe 30 nëntor, mes tjerash janë planifikuar bisedime politike me presidentin Stevo Pendarovski dhe kryeministrin Dimitar Kovaçevski, ndërsa Steinmeier duhet të drejtohet edhe në Kuvend, të takohet me të rinjtë në Qendrën presidenciale për edukim politik, të bisedojë me grupin e xhirimit të filmit “Toka e mjaltë” dhe ta vizitojë parkun e parë me erë në vend në Bogdanci.

Presidenti gjerman, sipas agjendës së tij, nesër në mesditë pritet të ketë takim me presidentin Stevo Pendarovski, pas së cilës në ora 13 dhe 15 do të mbajnë konferencë të përbashkët për shtyp. Në ora 14 do të mbajë fjalim në Kuvend, ndërsa në orën 16 e 15 minuta do të takohet në Qeveri me kryeministrin Dimitar Kovaçevski.

Më 30 nëntor, Steinmeier do të takohet me grupin e xhirimit të filmit “Toka e mjaltë” në Çifte Hamam. Pasdite ai do të vizitojë parkun e erës në Bogdanci, e më pas kompaninë gjermane Drekselmaer në Kavadar.

Steinmeier më pas udhëton për vizitë në Shqipëri.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat