Fillojnë sot punimet për heqjen e mbetjeve të spitalit modular në Tetovë

Maqedonia

Fillojnë sot punimet për heqjen e mbetjeve të spitalit modular në Tetovë

Më: 3 dhjetor 2022 Në ora: 14:09
Foto ilustrim

Pesëmbëdhjetë muaj pas rastit tragjik në modularin e Tetovës, sot kanë filluar punimet për heqjen e mbetjeve të objektit të shkrumbuar.

Mos heqja e modularit për kaq kohë të gjatë, nga drejtuesit e spitalit arsyetohej me ndalesën nga ana e prokurorisë, leje kjo që Spitalit klinik të Tetovës iu dha para vetëm një muaji, ku u deklarua se objekti nuk është më pjesë e provave materiale për hetimin.

Punimet për heqjen e modularit pritet të zgjasin dy ditë, ka informuar drejtori i Spitalit klinik të Tetovës. Në vendin e modularit, pas heqjes së mbetjeve, pritet të krijohet një park të vogël, ku edhe do të vendoset pllaka përkujtimore e 14 viktimave që humbën jetët natën e kobshme të tetë shtatorit, vitin e kaluar.

Për rastin e djegies së modularit të Tetovës, për të tretën herë që nga shtatori, ka dështuar fillimi i seancës gjyqësore, ku të akuzuar janë dy ish drejtorët e Spitalit klinik, Florin Besimi dhe Artan Etemi, si dhe mjeku përgjegjës i modularit Boban Vuçevski si dhe Spitali klinik i Tetovës si subjekt juridik. Seanca e radhës është e caktuar pas katër ditësh.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat