Osmani: Tensionet në rajon rrisin mundësinë për ndikimin e Rusisë

Maqedonia

Osmani: Tensionet në rajon rrisin mundësinë për ndikimin e Rusisë

Më: 29 janar 2023 Në ora: 18:01
Bujar Osmani

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka shprehur keqardhje për vendimin e Sofjes që të tërheqë ambasadorin e saj nga Shkupi, duke nënvizuar se kjo ishte një tërheqje e përkohshme pasi, sipas tij, dialogu është mënyra e vetme për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Osmani në një intervistë për REL po ashtu tha se shfaqja e tensioneve midis Shkupit dhe Sofjes, në kohën kur ka zhvillime intensive midis Prishtinës dhe Beogradit, rrit mundësinë për ndikimin e faktorëve destruktivë si është Rusia, pasi sipas tij, tani ata kanë më shumë hapësirë për të vepruar.

"Sa këto tensione dëmtojnë në formë të ndërsjellë proceset? Po, pikërisht po e dëmtojnë. Duke shpërqendruar opinionin publik në ballafaqimin me këto kriza, ndërkohë që tani vëmendja duhet të shpërndahet në më shumë vende. Kjo njëherësh rrit mundësinë për ndikimin nga faktorët destruktivë, duke pasur tani më shumë hapësirë për të vepruar. Andaj ndikojnë negativisht te njëra-tjetra, por unë mendoj se do të gjejmë forcë, gjakftohtësi për të parë më larg dhe për të de-eskaluar këtë situatë të tanishme. Në këtë drejtim, unë do të veproj pa reshtur pasi kjo është e vetmja mënyrë dhe nuk do t’i nënshtrohem asnjë forme të presionit publik që bëhet për rolin tim që Maqedonia e Veriut të ketë raporte të mira me të gjitha shtetet, dhe në asnjë mënyrë nuk do të lejoj që për përfitime politike, dikush të kidnapojë të ardhmen e njerëzve", ka theksuar Osmani.

Sipas kryediplomatit maqedonas, Rusia është e interesuar dhe vepron në forma të ndryshme që në rajonin e Ballkanit Perëndimor të ketë krizë të përhershme dhe çështje të hapura, pasi në këtë mënyrë, sipas Osmanit, Moska mund të ndikojë në politikat e brendshme të rajonit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat