Maqedonia e Veriut dhe Sllovenia gjatë vitit 2023 do të mbajnë mbledhje të përbashkët ndërqeveritare

Maqedonia

Maqedonia e Veriut dhe Sllovenia gjatë vitit 2023 do të mbajnë mbledhje të përbashkët ndërqeveritare

Më: 3 prill 2023 Në ora: 18:54
Dimitar Kovaçevski dhe kryeministri i Republikës së Sllovenisë, Robert Golob

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe kryeministri i Republikës së Sllovenisë, Robert Golob sot në Lubjanë nënshkruan Deklaratën e përbashkët për bashkëpunimin e përforcuar midis dy vendeve, pas së cilës mbajtën edhe një konferencë të përbashkët për shtyp në të cilën u vlerësua se takimet e sotme dhe Deklarata e nënshkruar janë një tjetër pasqyrim i qartë i miqësisë dhe partneritetit të sinqertë, shumëvjeçar dhe të vendosur mes dy vendeve, si dhe një udhërrëfyes për bashkëpunimin e mëtejshëm.

“Sot ne bëmë një përmbledhje të marrëdhënieve tona të përgjithshme. Ne diskutuam gjithashtu çështje të tjera aktuale dhe të rëndësishme rajonale dhe ndërkombëtare, duke përfshirë natyrisht luftën në Ukrainë dhe aleancën dhe unitetin tonë për këtë çështje. Ne kemi rënë dakord dhe do të përpiqemi të forcojmë bashkëpunimin dypalësh përmes dialogut të rregullt politik, duke përfshirë mbajtjen e një sesioni ndërqeveritar gjatë vitit 2023 për të gjitha fushat e rëndësishme për qytetarët. Së bashku konfirmuam nevojën për të forcuar stabilitetin e rajonit, veçanërisht në kontekstin aktual gjeopolitik, kur paqja dhe siguria evropiane duhet të ruhen. Dhe kjo është arsyeja pse ne ramë dakord, me një koordinim më të ngushtë të politikave të jashtme dhe dialog të rregullt politik, të kontribuojmë në kohezionin midis vendeve anëtare të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në atë drejtim kemi paraparë konsultime për çështje aktuale nga rajoni dhe politikën e jashtme të dy vendeve”, tha Kovaçevski.

Republika e Maqedonisë së Veriut, siç theksoi kryeministri ka treguar se di dhe mund të kontribuojë në mënyrë aktive për stabilitetin dhe perspektivat rajonale, përmes politikave të një shoqërie të barabartë për të gjithë në vend dhe përmes politikave të mirëkuptimit dhe dialogut në vend kontekstin rajonal, duke vendosur në mënyrë të qartë dhe efektive politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së në lidhje me situatën në Ukrainë, duke treguar kështu vazhdimësinë në mbështetjen e vlerave evropiane.

“Falënderoj nikoqirin tim, kryeministrin Golob dhe Republikën e Sllovenisë për mbështetjen gjithmonë të hapur me zë të lartë dhe të fortë të zhvillimit demokratik dhe euroatlantik të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kjo mbështetje ishte në një nivel dinjitoz korrikun e kaluar, kur pas 17 vitesh marrje të statusit kandidat, me miq si Sllovenia, arritëm të hapnim negociatat me BE-në. Kjo mbështetje është jashtëzakonisht e rëndësishme edhe sot. Këtu dëshiroj të përshëndes mbështetjen dhe inkurajimin slloven për të gjithë deputetët në Kuvendin tonë për të vazhduar punën së bashku dhe në mënyrë konstruktive, duke marrë parasysh momentin aktual dhe shanset për të bërë një hap të ri konkret në procesin e negociatave, me qëllimin përfundimtar – anëtarësimin e plotë në Union”, ka thënë ai.

Dhe prandaj nga këtu, nga Sllovenia, shtoi kryeministri, dua të them se Republika e Maqedonisë së Veriut dhe qytetarët e saj e njohin rolin e tyre në kontekstin rajonal dhe evropian.

“Unë besoj fuqishëm se do të mbetemi të përkushtuar dhe do të ecim me sukses në rrugën evropiane, edhe pse disa forca të brendshme dhe të jashtme mund të mos e dëshirojnë këtë”, porositi kryeministri Kovaçevski.

Mbështetja e Sllovenisë për rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së, siç tha kryeministri, nuk është vetëm politike dhe deklarative, por konkrete dhe praktike, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes teknike sllovene për forcimin e kapaciteteve administrative të shtetit në fushën e integrimeve evropiane , veçanërisht në fushën e harmonizimit të legjislacionit të Maqedonisë së Veriut me legjislacionin e BE-së dhe zbatimin e tij.“Sllovenia ka dy dekada që mbështet zhvillimin e Maqedonisë së Veriut me gati 40 milionë euro në zbatimin e reformave që dalin nga procesi i integrimit evropian, por edhe në përgjithësi në drejtim të përmirësimit të zhvillimit të vendit. Ndër përfituesit e ndihmës sllovene për zhvillim, vendet e Ballkanit Perëndimor janë prioriteti numër një, pra 60 për qind e buxhetit slloven për ndihmë zhvillimore i ndahet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe 40 për qind vendeve të tjera të programit. Ajo që është veçanërisht e rëndësishme për ne sot është se kemi paraparë avancimin e bashkëpunimit për çështjet që kanë të bëjnë me integrimin në BE, me qëllim përgatitjen e suksesshme të Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në Union. Kjo nënkupton shkëmbimin e praktikave dhe përvojave më të mira me Slloveninë nga procesi i anëtarësimit në BE, duke përfshirë edhe projektet e financuara nga BE-ja, me qëllim të mbështetjes së Maqedonisë së Veriut në përmbushjen e kritereve për anëtarësim”, shtoi Kovaçevski.

Kryeministri slloven, Golob, në konferencën për shtyp vlerësoi se Sllovenia dhe Maqedonia e Veriut janë në të njëjtën linjë dhe na bashkojnë marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe ndërmjet kombeve.

Për këtë, siç tha kryeministri Golob, Sllovenia është një nga investitorët më të mëdhenj në Maqedoninë e Veriut, me mundësi për të rritur tregtinë, ai i ka treguar studentët nga vendi ynë që studiojnë në Slloveni, si urë për bashkëpunim dhe Sllovenia po ashtu mbështet zhvillimin e Maqedonisë së Veriut dhe në fusha të tjera me rëndësi për qytetarët.

“Sllovenia dëshiron të ndihmojë Maqedoninë e Veriut në të gjitha format e mundshme. Ekziston një mirëkuptim i madh i ekonomisë sllovene për zhvillimin e Maqedonisë së Veriut”, tha kryeministri Golob.

Në përgjigjet e pyetjeve të gazetarëve, kryeministri Golob theksoi se Maqedonia e Veriut është pjesë e Evropës, se e ka pritur shumë gjatë integrimin në BE “dhe sot është në pikën ku procesi ka ecur dhe duhet të bëjmë gjithçka që ky proces të mos ndalet më kurrë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat