Rubin: Në Maqedoninë e Veriut ka media që përhapin gënjeshtrat dhe dezinformatat ruse

Maqedonia

Rubin: Në Maqedoninë e Veriut ka media që përhapin gënjeshtrat dhe dezinformatat ruse

Më: 11 prill 2023 Në ora: 16:42
James Rubin

I gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor është subjekt i dezinformatave ruse dhe kineze, nuk është sekret se në Maqedoninë e Veriut dhe në Mal të Zi ka media që përhapin gënjeshtra ruse, dezinformata ruse, tha për “Radio Ervropa e Lirë” James Rubin, kryetar i Qendrës për Angazhim Global.

Qendra është një agjenci e Departamentit të Shtetit të SHBA-së e krijuar për të ekspozuar dhe luftuar propagandën dhe dezinformimin.

“Mendoj se nuk është sekret se në Maqedoninë e Veriut dhe në Mal të Zi ka media që përsërisin gënjeshtra ruse, dezinformata ruse, duke thënë se në Ukrainë ka armë biologjike, kur kjo nuk është e vërtetë, gjë që u hodh poshtë edhe si ide nga Konventa për Armët biologjike në Gjenevë. Ata gjithashtu thonë se SHBA-të e donin këtë luftë [në Ukrainë] ose se ata e shohin këtë luftë si një operacion për të fituar para. I gjithë ky dezinformim i pastër është shumë i theksuar dhe shumë i përhapur në Ballkanin Perëndimor. Kjo është arsyeja pse erdha këtu për të biseduar me qeveritë që mund të bëjnë diçka për këtë”, shton Rubin.

I pyetur nëse ndonjë vend i Ballkanit Perëndimor është më i ndjeshëm ndaj dezinformatave ruse dhe kineze se të tjerët, Rubin beson se i gjithë rajoni përgjithësisht është i cenueshëm ndaj këtij problemi sepse mediat po zgjerohen në rajon nga shumë vende të ndryshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat