Ohri dhe Struga me turistë, por pa fuqi punëtore

Maqedonia

Ohri dhe Struga me turistë, por pa fuqi punëtore

Më: 25 maj 2023 Në ora: 22:29
Ohri

Sektori i gastronomisë në Maqedoninë e Veriut po përballet me mungesë të fuqisë punëtore, tani kur veçse kanë arritur turistët e parë nga vendet e Bashkimit Evropian.

Kjo mungesë ndihet para së gjithash në Ohër dhe në Strugë, qytete këto përgjatë liqenit të Ohrit në pjesën jugperëndimore të vendit.

Kërste Bllazhevski, kryetar i shoqatës Hotam – shoqatë e hoteleve, restoranteve dhe kafeneve – thotë për Radion Evropa e Lirë se “nuk ka biznes që nuk ka mungesë të punëtorëve, si kuzhinierë, kamarierë e të tjerë, pa të cilët nuk mund të paramendohet veprimtaria e jonë”.

Sipas tij, vetëm Struga dhe Ohri aktualisht kanë nevojë për rreth 2.000 punëtorë në sektorin e gastronomisë.

Mungesa e punonjësve ndihet për shkak të largimit të tyre jashtë vendit, kryesisht në vendet turistike si Kroacia.

Këtë e thotë edhe Erhan Papraniku, menaxher në hotelin “Beograd” në Strugë.

“Jo vetëm që nuk ka punëtorë, por nuk ka as profesionistë pasi ata që janë këtu kërkojnë të paguhen sikur të ishin super-profesionistë. Realisht, ne nuk mund të përballojmë pagesa të tilla dhe nuk di se çfarë do të ndodhë sepse nuk ka kush të punojë”, thotë ai.

Sipas tij, mungesa e kuadrit ka bërë që të ulet edhe cilësia e shërbimeve, pasi janë të detyruar të punojnë me staf që nuk i përmbushë kriteret e nevojshme për punë në këtë sektor.

“Jemi të detyruar të bëjmë kombinime mes profesionistëve dhe atyre pa përvojë, që të paktën të bëjmë balancimin e rrogave dhe shërbimeve. E kemi shumë të vështirë, shumë të vështirë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat