Bujar Osmani: Agjenda evropiane e Maqedonisë së Veriut duhet të jetë prioritet për të gjithë aktorët politikë

Maqedonia

Bujar Osmani: Agjenda evropiane e Maqedonisë së Veriut duhet të jetë prioritet për të gjithë aktorët politikë

Më: 30 tetor 2023 Në ora: 17:13
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot mori pjesë në diskutimin me qytetarë të titulluar “Zhvillimet e reja gjeopolitike dhe ndikimi në Maqedoninë e Veriut”, organizuar nga Instituti për Politikë Evropiane. Osmani theksoi se kthimi i zgjerimit në agjendën e Bashkimit Evropian pas kontekstit të krijuar gjeopolitik dhe të sigurisë paraqet thirrje të jashtëzakonshme për të gjitha vendet që aspirojnë integrimin evropian. Në këtë kontekst, sipas Osmanit, është koha që të gjithë aktorët politikë të bashkohen rreth agjendës evropiane të Maqedonisë së Veriut, si agjendë prioritare për të gjithë aktorët politik në vend.

“Ajo që është ndryshe këtë herë, në rrugën tonë evropiane, që është edhe një lloj udhëkryqi për ne, është se topi është tek ne dhe se a do të arrijmë që në këtë moment gjeopolitik, në këtë ngushticë kohore, të hyjmë përmes derës së BE-së që shpie në integrim të përshpejtuar, për vendet me një orientim të dëshmuar pro-evropian. Kjo paraqet miratimin e amendamenteve kushtetuese që të ecim përpara në procesin tonë të anëtarësimit”, tha Osmani.

“Nëse nuk ia dalim të hipim në atë tren, do ta ndjekim trajektoren e lëvizjes së atyre vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat ngadalë dhe me shumë vështirësi do të lëvizin drejt anëtarësimit të ardhshëm në BE, sepse do të hyjmë në grupin e vendeve nga rajoni që kanë çështje të hapura bilaterale, të cilat fillimisht do të duhet t’i zgjidhin në mënyrë që të mund të vazhdojnë integrimin evropian. Ndërkaq rihapja e çështjeve bilaterale me Bullgarinë nuk do të jetë më e favorshme se sa që është tani”, tha ai.

Nga ana tjetër, sipas Ministrit, parimi i meritokracisë duhet të mbetet një imperativ absolut në marrëdhëniet mes Unionit dhe vendeve kandidate, “Kur vendet tona do t’i përmbushin obligimet e tyre, BE-ja do të duhet të reflektojë! Ky është motivuesi përfundimtar dhe shpresojmë se BE-ja do të jetë në gjendje të marrë vendime të rëndësishme për rajonin në dhjetor të këtij viti”.

Osmani iu referua edhe çështjeve të tjera aktuale të politikës së jashtme të vendit. Në ngjarjen e cila u mbajt në Fakultetin Juridik “Justiniani i Parë” në Shkup shprehën pikëpamjet e tyre edhe Nenad Markoviq, profesor në Fakultetin Juridik “Justiniani i Parë” dhe anëtar i Këshillit për Siguri si dhe Vesna Poposka, dekane e Fakultetit Juridik në Universitetin Ndërkombëtar “Vizion”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat