Afati i dytë i maturës shtetërore, maturantët presin rezultatet e provimit

Maqedonia

Afati i dytë i maturës shtetërore, maturantët presin rezultatet e provimit

Më: 14 gusht 2026 Në ora: 17:18
Fotoilustrim

Një test, disa orë përqendrim dhe shumë pritshmëri për atë që vjen më pas. Për maturantët, provimi i sotëm ishte më shumë se një testim; ishte një nga hapat e fundit të arsimit të mesëm dhe një kusht për t’u bërë pjesë e botës akademike.

“Shumë mirë, testi ishte pak i vështirë, por i bëra përgjigjet, kisha mësuar. Tani besoj se e kam kaluar testin. Dua të studioj këtu, në shtetin tim. Në një shtet tjetër nuk mundem”, tha maturanti Xhihad Hasani.

Përveç njohurive, matura këtë vit sjell edhe një mundësi të re për nxënësit e arsimit profesional. Për herë të parë, ata mund të zgjedhin mes tre llojeve të maturës: maturës shtetërore, maturës shtetërore profesionale dhe maturës shtetërore artistike.
Në shkollat profesionale, kjo zgjedhje ka sjellë edhe një situatë interesante. Pavarësisht pritshmërive, më shumë nxënës janë orientuar drejt maturës shtetërore, e cila u mundëson aplikimin në më shumë drejtime studimi.

“Pritshmëritë tona ishin ndryshe, duke pasur parasysh konceptin e ri të maturës shtetërore. Në shkollën tonë prisnim që numri më i madh i nxënësve të paraqitej në maturën shtetërore profesionale, por ndodhi e kundërta – shumica u orientuan drejt maturës shtetërore. Arsyeja mund të jetë se, nëse zgjedhin maturën shtetërore, ata i kanë dyert e hapura për të aplikuar në çdo fakultet, ndërsa te matura profesionale orientimi duhet të jetë në përputhje me profesionin. Pra, vetëm në drejtimet e elektroteknikës, makinerisë dhe komunikacionit”, tha sekretari i maturës, Kastriot Kasapi.

Në ASUC “Boro Petrushevski”, provimi u zhvillua pa probleme dhe sipas planifikimit. Në këtë qendër testimi, sot iu nënshtruan provimit maturantë nga disa shkolla, gjithsej rreth 50 nxënës.

“Procesi po zhvillohet rregullisht dhe pa asnjë problem. Maturantët kanë ardhur në kohë dhe provimi ka nisur sipas orarit. Sot po testohen maturantë nga disa shkolla, gjithsej rreth 50 nxënës. Pres që të gjithë ta kalojnë testin. Ata që janë përgatitur mirë dhe nuk janë ndikuar nga emocionet do të arrijnë të japin maksimumin dhe të realizojnë rezultatet që dëshirojnë. Shumica e tyre e shohin të ardhmen duke vazhduar studimet në një nga fakultetet, qoftë në vend apo jashtë shtetit”, u shpreh drejtori i SHMK “Boro Petrushevski” – ASUC, Aleksandar Strezov.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat