KSHZ-ja rrëzon ankesën e OBRM-PDUKM-së për rivotim në Çellopek, paralajmëron shkarkimin e anëtarëve të komisionit
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) ka hedhur poshtë ankesën e OBRM-PDUKM-së lidhur me vendvotimin 2038 në Çellopek të Bërvenicës, përmes së cilës kërkohej përsëritja e votimit.
Megjithatë, anëtarët e KSHZ-së janë pajtuar që t’u shqiptohet paralajmërim për shkarkim anëtarëve të Këshillit Komunal Zgjedhor, për shkak të shkeljeve të konstatuara gjatë plotësimit të procesverbalit.
Sipas të dhënave nga ky vendvotim, në zgjedhje kanë votuar gjithsej 404 persona. Prej tyre, 319 vota i janë dhënë kandidatit të AKI-së, Arkin Jahiji, ndërsa 13 vota kundërkandidatit të tij, Stojanço Radojçevski.