Pse humbi LDK në Podujevë? Analisti e “zbulon” pse Lëvizja Vetëvendosje fitoi me 51 për qind të votave

Politika

Pse humbi LDK në Podujevë? Analisti e “zbulon” pse Lëvizja Vetëvendosje fitoi me 51 për qind të votave

Nga: G.B Më: 30 nëntor 2020 Në ora: 23:00
Shpejtim Bulliqi dhe Nexhmi Rudari

20 vjet pas qeverisjes në Komunën e Podujevës, Lidhja Demokratike humbi zgjedhjet e 29 nëntorit.

Në këtë komunë fituese doli Lëvizja Vetëvendosje me 51 për qind të votave.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike Blerim Burjani, ka thënë për gazetën "Bota sot" se e gjithë kjo ka ndodhur nga mllefi, është një lloj bumerangu ndaj LDK-së.

"Në Kosovë po ndodhë që nga viti 2019 një trend se duhet të ndërrohen këto parti që e kanë pasur pushtetin një kohë të gjatë dhe ky votim është votë mllefi, pa marrë parasysh se a mund të ndryshohet diçka tash është përfshirë një trend tjetër, duhet të ndryshohet kjo strukturë politike, kjo mund të jetë një lloj bumerangu kundër demokracisë reale të prekshme dhe kjo mund të jetë diçka tjetër s'ka rëndësi a mund të bëhet më keq, por me rëndësi të provohet dikush tjetër", është shprehur ai.

Sipas Burjamit, votat kanë shkuar për VV-në pasi qytetarët janë të mllefosur me punësimet, korrupsionet e gjitha këto që ndodhin.

Image
Blerim Burjani

"Unë kam komentuar rezultatin si diçka e mllefit, nuk fiton VV por mllefi kundër partive që një kohë të gjatë vlerësohen si parti që nuk kanë sjellë asnjë ndryshim për 20 vjet, normal që kjo nuk është kështu si perceptim i një shumice të qytetarëve, punësimi familjar, korrupsioni, kontrolli ndaj punësimit, punësimi në ambasada, koha e gjatë e LDK me PDK dhe partitë tjera si AAK që vlerësohen në Kosovë si problematike, zhvatëse, grabitje e parasë publike", ka vlerësuar ai.

Ai e sheh të rrezikshme për të ardhmen këtë fazë, që të mos dihet kush është i mirë e kush i keq dhe populli do të dëshpërohet edhe më shumë e kështu do të vazhdojë derisa s'ka pozitivitet tjetër.

"Pra LDK pashmangshëm do të ballafaqohet me këtë trend, unë mendoj se shteti po zhytet në konfuzitet kush është më i keq e jo kush është më i mirë, kjo quhet edhe fazë e rrezikshme për të ardhmen, dobësimi i brendshëm politik i Kosovës është dobësim i pozicionit të saj kundrejt dialogut me Serbinë, këtu është poenta e tërë kësaj. Nuk është dert ndryshimi por jo të jetë ndryshim më i keq sepse kjo do ta dëshpërojë popullin edhe më shumë, mungesa e një vetëdije demokratike po ndodhe që një kohë të gjatë, tash ideja që e keqja mundet me një të keqe më të madhe është gabim ideologjik dhe regresion i mendimit e që ky mentalitet vlen për popullin tonë, Pra çka do të ndodhë më tutje? Trendi do të vazhdojë kështu si është, negativ përderisa s'ka ndonjë pozitivitet tjetër", ka theksuar Blerim Burjani për "Bota sot".

Ai shton se në Podujevë kanë votuar me mllefin e mbledhur dhe se a do të ndryshojë kjo varet nga LDK.

"Podujeva është njëra nga ky trend frustrues dhe i mllefit e që kjo s'ka të bëjë me VV-në por me mllefin e mbledhur. A mund të ndryshohet kjo në Podujevë, normal se gjasa gjithmonë janë teorike por edhe praktike por kjo varet nga LDK, sjellja e LDK-së në opinion të jashtëm duhet të ndryshojë, LDK duhet të jetë e hapur më shumë për shoqërinë civile dhe qytetarët pra nuk duhet të shkëputet nga ata dhe t'i duket mirë, kjo pastaj rikthehet në bumerang negativ", ka shtuar ai.

Burjani thotë se LDK do të reformohet, pasi diçka nuk funksionon në LDK në dy vitet e fundit dhe se LDK duhet të konsolidohet në Podujevë.

"Pra reformimi i partisë duhet të ndodhë sa më shumë, figurat e njëjta politike këto tre vitet e fundit edhe disa njerëz të rinj që janë angazhuar nuk janë parë në opinion se është diçka e re në LDK por si vazhdimësi e të vjetrës, kjo analizë ka munguar dhe mungon në LDK. Dy dekada në Podujevë pas zgjedhjeve nacionale të 6 tetorit 2019 janë tregues për analizë të brendshme. Diçka nuk funksionon që dy vitet e fundit në LDK, prishja e qeverisë me VV-në si trend edhe pse ky subjekt është negativ, dhe grup anarkist për momentin është mllefi që qëndron tek qytetarët, rebelimi politik i votuesit tash po bëhet përmes votës e jo protestës për shkak se që një kohë të gjatë mllefi ishte i mbyllur, frika për shprehje ishte e madhe, kjo frikë tash shprehet publikisht me mënyrën e votimit. LDK duhet të rikonsolidohet në Podujevë, duhet të lëvizë e terren për të biseduar derë me derë me qytetarët dhe duhet të hartojë program të ri për Podujevën me premtimin se do të përmbushë obligimin, pra kjo formë mund të provohet për të parë pastaj a ka ndikim a jo në zgjedhjet komunale të vitit 2021", ka deklaruar Blerim Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat