Analisti politik: Vjosa me Albinin do të krijojnë Qeverinë e re

Politika

Analisti politik: Vjosa me Albinin do të krijojnë Qeverinë e re

Nga: A.Z Më: 15 dhjetor 2020 Në ora: 21:56
Vjosa Osmani dhe Albin Kurti

Zyrtari i PDK-së, Betim Gjoshi ka publikuar një thirrje për u.d e presidentit, Vjosa Osmanin. Gjoshi ka thënë se Vjosa Osmani nuk duhet të fshihet dhe të garojë në zgjedhje me partinë e saj, e të mos kërkojë strehë në partitë tjera.

“Më në fund paskan vendosur të bëhen bashkë dy mbjellësit më të mëdhenj të urrejtjes politike në vend. Nuk ka mbetur asgjë në vendin tonë pa përjetuar njollosjen e organizuar nga Albin K. dhe Vetëvendosje. Njëjtë ka vepruar edhe Vjosa Osmani. Gjuha e saj e urrejtjes ka qenë e drejtuar kryesisht kundër një njeriu – Hashim Thaçit...”, ka thënë ai.

Lidhur me këtë, profesori Sulejman Mehazi në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se Vjosa Osmani mbetet njëra nga politikanet më me pedigre, ajo me principet e saj i kanë dhënë frymë të re politikës së Kosovës, ndërsa, së bashku me Albin Kurtin, do thyejnë akujt e së keqes.

“Vjosa Osmani mbetet politikania më me pedigre pas zgjedhjeve të 6 tetorit, ajo nxit, provokon e stimulon jo vetëm qytetarët e Kosovës, por edhe kundërshtarët politikë. Principet e saja politike i kanë dhënë frymë të re shpresëdhënëse politikës kosovare që së bashku me Albin Kurtin do thyejnë akujt e së keqes politike për t'i freskuar qytetarët e Kosovës me shpresa e energji optimiste e pozitive. Se si do garojë Vjosa Osmani gjatë zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, e vetmuar apo me Albin Kurtin nuk është shumë e rëndësishme”, tha ai.

Tutje ka theksuar se më e rëndësishmja është se Vjosa Osmani, ka krijuar shkollë të re politike gjë që është e pëlqyeshme edhe për qytetarët e Kosovës. 

“Më e rëndësishme është se Vjosa Osmani ka krijuar një shkollë të re politike që është shumë e pëlqyeshme për votuesit e qytetarët e Kosovës. Vjosa Osmani së bashku me Albin Kurtin do krijojnë paradigmë politike për të ardhmen euroatlantike të Republikës së Kosovës, edhe vetmuar ajo do kalonte pragun për të formuar një grup deputetësh në parlamentin e Kosovës. Populli i Kosovës është lodhur nga Isa Mustafa, Haradinaj, Thaçi, Veseli, Hoxhaj, prandaj Vjosa se bashku me Kurtin do fitojnë bindshëm e do formojnë qeverinë e re shpresëdhënëse të Kosovës”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat