Shkarkimi i shefit të AKI-së, flet Tomë Gashi: Ja skandalet e AKI-së, përmend edhe vrasjen e Astrit Deharit

Politika

Shkarkimi i shefit të AKI-së, flet Tomë Gashi: Ja skandalet e AKI-së, përmend edhe vrasjen e Astrit Deharit

Nga: G.B Më: 19 dhjetor 2020 Në ora: 11:31
Tomë Gashi

Shefi i AKI-së Kreshnik Gashi është shkarkuar nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Përmes një njoftimi në Facebook, Hoti njoftoi se i ka kërkuar Gashit lirimin e detyrës.

Lidhur me këtë nga presidenca kanë thënë se kanë pasur koordinim me Hotin.

Duke folur për "Bota sot" për këtë çështje, avokati Tomë Gashi ka thënë se shefat e AKI-së emërohen në bazë të preferencave politike por këtë nuk e ka bërë edhe Albin Kurti kur u zgjodh kryeministër.

"Shefat e AKI-së të gjithë ata që e kanë marrë pushtetin i kanë emëruar në bazë të preferencave të tyre që përkthehet si lojalitet absolut për të qenë të dëgjueshëm deri në përkulje. Këtë nuk e ka bërë vetëm Abin Kurti në kohën kur u zgjodh kryeministër i Kosovës", është shprehur ai.

Gashi përmend rastin me deportimin e shtetasve turq si skandali më i madh i AKI-së me Hashim Thaçin.

"Skandali me deportimin e 6 shtetasve turq pa asnjë procedurë ligjore ishte skandali më i madh i cili nuk kishte si të fshihet që e bëri AKI me Hashim Thaçin kur ishte ai në pushtet thuajse absolut në Kosovë. Pasojat e veprimit të AKI-së ishin aq të dëmshme sa që ajo ndikoi shumë keq në imazhin e shtetit të ri të Kosovës e që u kritikua nga gjithë bota demokratike", ka vlerësuar avokati.

Sipas tij, ka edhe skandale të tjera që nuk janë bërë publike derisa përmend rastin me Kuvendin e Kosovës., për çka thotë se AKI nuk është e përfshirë por që ka pasur njohuri për këtë rast.

"Sigurisht që ka pas edhe skandale të tjera të AKI-së por që nuk janë bërë publike asnjëherë. P.sh, dihet që AKI ka krijuar dosje dhe ka qenë e involvuat në mënyrë specifike për të ditur se si dhe kush e gjuajti me tromblon ndërtesën e Kuvendit të Kosovës e që padrejtësisht u akuzuan aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje e që për shkak të këtij rasti në burg u vra Astrit Dehari në tentativë që nga ai të merren deklarata vet inkriminuese me qëllim që ta involvonin Albin Kurtin dhe udhëheqësit tjerë të VV-së, që VV të shpallej organizatë terroriste. Unë nuk po e them që kanë qenë të involvuar AKI në këto raste por që kanë njohuri dihet por asnjëherë askush nuk ka kërkuar nga ta të deklarohen rreth këtyre dy rasteve", ka theksuar Tomë Gashi për "Bota sot".

Ai shton se është e çuditshme që AKI të merr dokumente nga kasaforta e presidenvës dhe pse ato të jenë sekrete për Osmanin e nuk kanë qenë për Thaçin.

"Është shumë, shumë, shumë e çuditshme se si AKI tentoi të merr dokumente sekrete nga kasaforta e presidencës pas dorëheqjes së Hashim Thaçit dhe shkuarjes së tij në Hagë. Si është e mundshme dhe pse dokumentet e AKI. Publike për Hashim Thaçin si presidentin a janë sekret për Vjosa Osmanin si ushtruese e detyrës së presidentes së Kosovës", ka thënë ai.

Sipas Gashit, shkarkimi i shefit të AKI-së është domosdoshmëri dhe ndërrimi i tyre kaq shpesh është i dëmshëm për sigurinë kombëtare por skandale të tilla nuk tolerohen.

"Shkarkimi i shefit të AKI ka qenë domosdoshmëri dhe ndërrimi i shefave të AKI-së kaq shpesh është shume i dëmshëm për sigurinë kombëtare por ja që skandale të tilla nuk mund të tolerohen", ka deklaruar Tomë Gashi për "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat