Kryeneçësia e Haradinajt për postin e presidentit, flet profesori, e ‘zbulon’ zgjidhjen e vetëm për jetëgjatësinë e Qeverisë Hoti

Politika

Kryeneçësia e Haradinajt për postin e presidentit, flet profesori, e ‘zbulon’ zgjidhjen e vetëm për jetëgjatësinë e Qeverisë Hoti

Nga: G.B Më: 19 dhjetor 2020 Në ora: 15:48
Isa Mustafa, Ramush Haradinaj dhe Enver Hoxhaj

Koalicioni qeverisës varet nga posti i presidentit.

Për këtë post partitë duket se nuk do të gjejnë konsensus.

Deri tani nga LDK e PDK nuk ka ende kandidatë për këtë post por nga partitë janë deklaruar se e duan këtë post.

Në anën tjetër, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se vendi do të shkojë në zgjedhje, nëse ai nuk e merr këtë post.

Për të komentuar për këtë temë, se pse duhet të lidhet fati i koalicionit me postin e presidentit dhe sa ka mundësi të arrihet konsensus në mes partive për këtë post, për gazetën "Bota sot" ka folur profesori Muhamet Kelmendi.

Image
Muhamet Kelmendi

Ai ka thënë se koalicioni është formuar në bazë të marrëveshjes mes partive për pozitat në pushtet dhe një nga këto pozita është e posti i presidentit, për të cilin partnerët e koalicionit duhet të gjejnë konsensus.

"Koalicioni është i ndërtuar në bazë të marrëveshjes për pozitat e partive politike në koalicion që i marrin pozitat në pushtet. Mbi këtë është ndërtuar qeveria Hoti. Kështu u bë kryeministër dhe u ndan pozitat e zëvendëskryeministrave dhe të ministrave. Këtej kemi edhe zëvendësministrat e caktuar në pushtet. Pozita e presidentit është një pozitë tjetër në pushtet. Dhe, këtu duhet koalicionistët e koalicionit aktual të arrijnë kompromisin e duhur për të jetuar koalicioni", është shprehur ai.

Sipas Kelmendit, LDK dhe AAK janë në pozita të kundërta, ku AAK e do presidentin ndërsa LDK e do PDK-në në qeveri.

"Mendohet se LDK dhe AAK janë në pozita shumë të kundërta. Kjo, për faktin se LDK po ka tendenca që të krijojë një koalicion të ri. LDK po e do PDK në koalicion. Këtej e ka refuzuar kërkesën e AAK-së që Ramush Haradinaj të jetë kandidati i koalicionit për president", ka vlerësuar profesori.

Ai shton se nëse kështu mbetet janë dy rrugë, njëra që të ketë koalicion të ri LDK-PDK duke dalë me një kandidat nga njëra parti dhe opsioni tjetër shkuarja në zgjedhjet, derisa thotë se më e afërt është kjo e fundit.

"Dhe, nëse kështu mbetet, kuptohet se koalicioni përfundon dhe mbeten atëherë dy rrugë tjera: E para, një koalicion i ri i LDK-së dhe të PDK-së duke dalë me kandidatë të PDK-së apo të LDK-së për president dhe së dyti, shkuarja në zgjedhje të reja. Kjo e fundit është shumë më e afërt dhe mendohet se do të ndodhi. Pra, rënia e koalicionit aktual, nuk do të thotë shkruaje në zgjedhje. Ka mundësi tjera koalicionistë, para zgjedhjeve. Se a do të veprohet kështu mbetet të shihet! Ajo del shumë në skenë shpejt", ka deklaruar Muhamet Kelmendi për "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat