Mesazhi i qartë i kryeministrit Hotit për Vuçiqin

Politika

Mesazhi i qartë i kryeministrit Hotit për Vuçiqin

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 21 dhjetor 2020 Në ora: 12:15
Avdullah Hoti dhe Aleksandar Vuçiq

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ditë më parë ka thënë se deklarata e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq se vendi i tij nuk do ta njohë Kosovën derisa të mbahen zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale më 2022, nuk i kontribuojnë dialogut.

Kurse kryeministri Hoti, ka deklaruar se nuk do të ketë marrëveshje me Serbinë nëse nuk ka njohje reciproke.

Rugova: Njohjen reciproke, këtë fakt Vuçiç dhe Serbia e dijnë mirë dhe ky qëndrim mbështetet edhe nga partnerët tanë strategjik

Image
Naser Rugova

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova për “Bota sot”, ka thënë se Kosova ka platformë të veten shtetërore dhe e cila është e bazuar në Kushtetutën e vendit.

“Kosova ka platformën e vet shtetërore për dialogun me Serbinë, e bazuar në Kushtetutën e vendit, askush nuk ka të drejtë të shmanget nga kjo platformë”, dekaron ai.

Sipas tij, me Serbinë duhet biseduar si dy shtete-palë të barabarta me objektiv final njohjen reciproke, dhe se këtë fakt Vuçiç dhe Serbia e dijnë mirë.

“Edhe deklarimet e kryeministrit janë në këtë frymë, me Serbinë duhet biseduar si dy shtete-palë të barabarta me objektiv final njohjen reciproke. Këtë fakt Vuçiç dhe Serbia e dijnë mirë dhe ky qëndrim mbështetet edhe nga partnerët tanë strategjik”, përfundon Rugova.

Zogaj: Njohja reciproke nuk është vetëm fjalë e Kryeministrit Hoti por formula e vetme e zgjidhjes së problemeve shqiptaro-serbe

Image
Skënder Zogaj

Analisti Skënder Zogaj në përgjigje për “Bota sot” shprehet se, njohja reciproke nuk është vetëm fjalë e Kryeministrit Hoti por formula e vetme e zgjidhjes së problemeve shqiptaro-serbe, që tashmë është qëndrim i bashkësisë ndërkombëtare.

“Kryeministri Avdullah Hoti po tregohet shumë i ndërgjegjshēm në raport me Serbinē dhe deklaratat e Vuçiqit, në vazhdimësi duke ia bërë të ditur se me Serbinë nuk do të ketë marrëveshje pa njohje reciproke! Kjo nuk është vetëm fjalë e Kryeministrit Hoti por formula e vetme e zgjidhjes së problemeve shqiptaro-serbe, që tashmë është qëndrim i bashkësisë ndërkombëtare”, ka thënë Zogaj.

Ai thotë se puna e përfundimit të dialogut përveç Kosovës, i ngutet më shumë Serbisë sepse ajo është joshur me karrotë, por tash e tutje shfaqet shkopi dhe, Vuçiqin e pret fati i ish- shefit të tij Millosheviç.

“Ecja përpara e dialogut mes dy vendeve nuk duhet të jetë preokupim fort brengosës për Kosovën sepse, më shumë se Kosova ka nevojë të ngutet Serbia, e cila deri tash është joshur me karrotë, por tash e tutje shfaqet shkopi dhe, Vuçiqin e pret fati i ish- shefit të tij Millosheviç, i cili pasi e hëngri karrotën, shkopi i tregoi udhën e prapa grilave të Hagës ku edhe përfundoi si kriminel”, shprehet Zogaj.

Ai thekson se, njohja reciproke është kushti që, tash edhe bashkësia ndërkombëtare e pranon se është i domosdoshëm.

“Pra, Kosovës i mjafton të tregojē se është e gatshme për dialog konstruktiv dhe zgjidhje konkrete, e jo për thashetheme! Njohja reciproke është kushti që, tash edhe bashkësia ndërkombëtare e pranon se është i domosdoshëm”, përfundon Zogaj.

Burjani: Serbia do ta njohë Kosovën hap pas hapi, trysni pas trysnije nga BE dhe SHBA

Image
Blerim Burjani

Njohësi i çështjeve politike në vend, Blerim Burjani për “Bota sot” ka thënë se, Serbia do ta njohë Kosovën hap pas hapi, trysni pas trysnije nga BE dhe SHBA, kjo do të ndodhë herët a vonë këtë e di edhe Vuçiçi.

“Serbia do ta njohë Kosovën hap pas hapi, trysni pas trysnije nga BE dhe SHBA, kjo do të ndodhë herët a vonë këtë e di edhe Vuçiçi, se kjo do të ndodhë, me rëndësi për Serbinë është të siguroj një përkrahje më të madhe të serbëve në Kosovë dhe pastroj gjuhën e vrazhdët nacionaliste në Serbi. Vuçiçi pa pas alibi për njohje të Kosovës e ka të vështirë të pranojë një realitet të ri që ekziston 20 vjet tashmë” shprehet Burjani.

Sipas tij, zvarritja që bën Serbia në këtë rast do të vije duke u ngushtuar sepse edhe diplomacia ndërkombëtare është lodhur nga një politikë jo produktive në lidhje me relacionet Kosovë-Serbi.

“Është humbje kohe nga Serbia vazhdimi i zvarritjeve si deri tash, ky rreth i zvarritjes do të vjen duke u ngushtuar por edhe manovrimi i Vuçiçit në Serbi me lojëra nacionaliste. Serbia e ka tepruar që një kohë të gjatë me zvarritje, ata konsiderojnë si shpëtim zvarritjen e njohjes së Kosovës, zvarrtjen e shohin favore për vete përderisa diplomacia ndërkombëtare është lodhur dhe stërlodhur nga një politikë kurrëfarë produktive në lidhje me relacionet Kosovë-Serbi. Pra, zvarritja do të përfundoj, nuk shkon gjatë me të gjithë, në BE dhe SHBA tash me zgjidhjen përfundimtare e shohin deri në maj 2021”, përfundon Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat