Shpjegojnë diplomatët e ekspertët: A ka të bëjë mini-Shengeni me mbetjen e refugjatëve në Ballkanin Përendimor?

Politika

Shpjegojnë diplomatët e ekspertët: A ka të bëjë mini-Shengeni me mbetjen e refugjatëve në Ballkanin Përendimor?

Nga: D.G. Më: 31 dhjetor 2020 Në ora: 08:14
Vendet të cilat do t

Mini-Shengeni, një plan ambicioz të menduar për të përmirësuar lidhjet ekonomike në rajon, është ndjekur nga polemika të shumta politike që nga fillimi.  

Pyetja është nëse dispozitat e tij themelore mbi lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave do të zbatohen, pasi duket se pjesëmarrësit - Serbia, Shqipëria, Maqedonia Veriore dhe Kosova, nuk kanë mjaft dëshirë dhe entuziazëm të sinqertë për afrim, por përkundrazi për këtë përpiqen nga presioni i jashtëm, kryesisht nga Shtetet e Bashkuara, dhe së fundmi nga Bashkimi Evropian,  vlerësojnë diplomatët dhe ekspertët për çështjet rajonale për gazetën beogradase "Danas".

Mirëpo, bashkëbiseduesit e gazetës hedhin poshtë pretendimet e fundit të kryetarit të Partisë popullore të Serbisë Vuk Jeremiq se qëllimi kryesor i mini Shengenit është "të krijojë një hapësirë ​​të vetme administrative në Ballkanin Perëndimor për të pranuar qindra mijëra refugjatë nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut, të cilët mund të transferohen në Bashkimin Evropian vitin vijues, pasi qe situata ekonomike botërore përkeqësohet kur të vijë llogiaria e mbylljes së shteteve dhe ekonomive për shkak të epidemisë së virusit korona.

Duke komentuar deklaratën e Jeremiqit, një bashkëbiseduesi i gazetës nga qarqet diplomatike në Bruksel shprehet jozyrtarisht: "Migrantët nuk duan të qëndrojnë në Serbi, Shqipëri dhe Maqedoni Veriore, përveç për aq kohë sa duhet. Ata nuk dëshirojnë të qëndrojnë as në vendet fqinje, edhe pse ato vende janë anëtare të BE-së, të tilla si Sllovenia, Sllovakia, Kroacia, Hungaria. Migrantët madje zgjedhin se ku të qëndrojnë në Gjermani dhe kryesisht zgjedhin vetëm qytetet më të mëdha dhe rajonet më të pasura, kështu që ata nuk janë të interesuar në zonën mini Shengen. Një valë e re masive e migrantëve do të lëvizë drejt BE-së vetëm nëse Turqia e lejon atë, sepse ka më shumë se tre milion refugjatë dhe migrantë në territorin e saj."

Siç shpjegon një burim i gazetës: "Mini Shengeni nuk është konceptuar si një zonë tampon, as si një kordon për refugjatët, por si dëshirë e BE-së dhe Amerikës që pjesëmarrësit në këtë nismë të fitojnë një lloj zëvendësimi faktik për të ndaluar ose ngadalësuar procesin e zgjerimit të BE-së, ndërsa disa besojnë se është ky paralajmërim se Ballkani Perëndimor përfundimisht do të pranohet kolektivisht në BE".

Duke folur për të njëjtën temë, Agron Bajrami, kryeredaktor i gazetës së Prishtinës Koha Ditore, thotë: "Nuk kam lexuar marrëzi të tillë për një kohë të gjatë. Unë me të vërtetë nuk di si të komentoj një deklaratë kaq joserioze që i përket një grupi teorish konspirative si ajo për virusin korona të krijuar nga Bill Gates, në mënyrë që të na fusë mikroçipa përmes vaksinave. Nëse një Jeremiç i tillë është alternativa e vetme politike e ofruar nga opozita në Serbi, Vuçiq nuk ka asnjë arsye të shqetësohet për shumë e shumë vite që do të vijnë".

Sipas disa diplomatëve, është enigmë e madhe nëse mini-Shengeni do të mbetet vetëm një "hile politike e hartuar me shkathtësi" apo do të mundësojë forcimin e lidhjeve ekonomike në Ballkanin Perëndimor.

Siç shpjegojnë ata, kur Komuniteti Evropian i Qymyrit dhe Çelikut, paraardhësi i BE-së së sotme, u krijua gjashtë dekada më parë, "ishte dëshirë e sinqertë dhe nevojë reale e vendeve të bashkuara, ndërsa nuk ka faktorë të tillë integrues midis vendeve të mbledhura rreth mini Shengenit".

Si një nga problemet praktike në lidhje me këtë iniciativë, bashkëbiseduesit përmendin mungesën e burimeve financiare, duke theksuar: "Nuk ka gjasa që të ketë para të mjaftueshme në këtë situatë (pas)pandemike, madje edhe Pendarovski, presidenti i Maqedonisë Veriore, tha se po të mos ishte president do të ishte larguar nga vendi ".

Nikola Burazer, redaktor ekzekutiv i portalit European Western Balkans, thekson: "Ka shumë të panjohura për atë që përfaqëson mini Shengeni, gjë që lë hapësirë ​​për interpretime të ndryshme."

- Mirëpo, kjo është kryesisht për shkak të faktit se ky koncept nuk është sqaruar plotësisht si ide, veçanërisht në lidhje me mekanizmat ekzistues të bashkëpunimit rajonal, nga të cilët krijimi i hapësirës ekonomike rajonale (REA) brenda Procesit të Berlinit përkon kryesisht me qëllimet e proklamuara të mini-Shengenit. Është e mundshme që shumica e këtyre qëllimeve do të arrihen përmes iniciativës së Tregut të Përbashkët Rajonal, e cila po zbatohet gjithashtu si pjesë e Procesit të Berlinit, dhe e cila duket se ka përfshirë tashmë idenë e mini-Shengenit. Sidoqoftë, ajo që mini-Shengeni ose iniciativa të ngjashme nuk do të sjellin, të paktën jo në një të ardhme të parashikueshme, është heqja e kufijve midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, kështu që është vërtet e vështirë ta lidhësh atë me çështjen e migrimit dhe akomodimit të migrantëve, thotë Burazer.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat