A ka rënie partia e Isa Mustafës? Flasin për “Bota sot” nga LDK-ja: Kjo është e vërteta – ja çfarë thonë për sondazhin e VV-së

Politika

A ka rënie partia e Isa Mustafës? Flasin për “Bota sot” nga LDK-ja: Kjo është e vërteta – ja çfarë thonë për sondazhin e VV-së

Nga: N. H Më: 2 janar 2021 Në ora: 16:34
Lidhja Demokratike e Kosovës, foto ilustrim “Bota sot”.

Një sondazh i fundit e ka nxjerrë Lidhjen Demokratike të Kosovës, parti kjo e udhëhequr nga Isa Mustafa, si subjektin e tretë në vend, duke parashikuar rënie drastike të kësaj partie.

Mirëpo, nga Lidhja Demokratike e Kosovës mendojnë krejt ndryshe. Ata madje parashikojnë që edhe mund të shpallen fitues të zgjedhjeve të ardhshme.

Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm, dhe njëherit kryetari i degës së LDK-së në Malishevë, Bajrush Hoti, për gazetën “Bota sot”, ka demantuar gjithçka rreth rënies që mund të ketë kjo parti.

Hoti është shprehur se përkundër zërave se partia e tyre ka rënie, një gjë e tillë sipas tij nuk qëndron. Ai ka bërë me dije se LDK-ja për dallim nga partitë tjera ka një strukturë të mirë organizuar.

Image
Bajrush Hoti

“Përkundër propagandës së madhe dhe zërave se Lidhja Demokratike e Kosovës ka rënie apo diçka tjetër, një gjë e tillë nuk është e vërtetë dhe nuk qëndron, për shkak se kjo parti ka një strukturë të organizuar mirë, dhe se është një parti e përgatitur jashtëzakonisht mirë, me një traditë 31 vjeçare, gjë për të cilën jam i bindur se në këto zgjedhje që pritet të mbahen brenda pak muajve do të ngadhënjejmë fuqishëm. Kështu do të ndodhë në çdo palë zgjedhje, si për këto të përgjithshmet, gjithashtu edhe për ato lokale”, ka deklaruar Hoti i LDK-së.

Kurse, i pyetur për sondazhin e publikuar nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila veten e ka nxjerrë me 55 deputetë, ndërsa LDK-në si të tretën me 18 deputetë, pas PDK-së, Hoti ka thënë se këto sondazhe janë të bëra sipas dëshirës, dhe se nuk e tregojnë realitetin nga tereni.

“Partitë politike janë duke bërë sondazhe sipas dëshirës, dhe jo sipas realitetit në teren. Jam shumë i bindur se këto sondazhe nuk qëndrojnë aspak, pasi që Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të ketë rënie, mirëpo, përkundrazi, do të ketë vetëm rritje në këto zgjedhje, pasi që është një subjekt i organizuar mirë dhe i mobilizuar si asnjëherë më pare”, tha ai.

Ish-ministri Besnik Bislimi ka publikuar një sondazh që e nxjerr Vetëvendosjen me mbi 50 për qind të votave në zgjedhjet e ardhshme. Sondazhi që ka publikuar Bislimi, nxjerr PDK-në të dytën me me 19%, kurse, LDK-në të tretën me 18 për qind.

Kujtojmë se VV-ja e Kurtit vazhdimisht ka kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe është shprehur kundër zgjedhjes së presidentit pa u mbajtur paraprakisht zgjedhjet e parakohshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat