Kthesa e papritur/ Gjykata Kushtetuese mund ta rrezojë edhe Albin Kurtin

Politika

Kthesa e papritur/ Gjykata Kushtetuese mund ta rrezojë edhe Albin Kurtin

Nga: P.R Më: 7 janar 2021 Në ora: 21:24
Albin Kurti

Gjykata Kushtetuese me aktgjykimin final ia ka ndaluar kreut të VV-së, Albin Kurtit që të kandidojë për deputet në zgjedhjet që pritet të mbahen në fund të këtij muaji apo në fillim të muajit shkurt, pasi këtij të fundit, Apeli ia ka vërtetuar dënimin me kusht në verën e vitit 2018.

Sipas aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, u ndalohet të gjithë atyre që janë të dënuar në tri vitet e fundit me vendim të formës së prerë të kandidojnë për postin e deputetit.

“Në bazë të nenit 71.1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në ndërlidhje me nenin 29.1 (q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, personi i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tri (3) vitet e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitojë mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, thuhet ndër tjera në aktgjykim.

E për këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur analisti dhe publicisti, Rexhep Shahu.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që ndalon të dënuarit të kandidojnë për deputetë, e ndalon Albin Kurtin të bëhet deputet. Po ky vendim që ndalon të kenë mandat deputeti të dënuarit për tre vjet, e bën të paligjshëm qenien e Albin Kurtit deputet kryeministër, pasi ai ka qenë i dënuar kur e ka ushtruar atë detyrë si deputet dhe si kryeministër”, thotë Shahu.

Image
Rexhep Shahu

Sipas tij, Albin Kurtit nuk duhet t’i lejohet kandidimi për deputet.

“Albin Kurti kërkoi drejtësi nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe duke dashur të ruaj vetullat e veta nxori sytë e tij. Duke dashur të dënojë e të penalizojë qeverinë Hoti ai nxori të paligjshme qeverinë e tij se vetë ai ka qenë i dënuar dhe është bërë kryeministër duke qenë i dënuar. Tani që janë zgjedhjet e parakohshme të shkaktuara nga nxitja e Albinit në emër të ligjshmërisë, atij nuk i lejohet të bëhet deputet”, shprehet Rexhep Shahu për “Bota sot”.

Shahu e krahason Albin Kurtin me Edi Ramën.

“Kryeministër mund të bëhet pa qenë deputet, por ai nuk ka tager as fuqi të jetë në parlament aty ku bëhen ligjet e vendit. Ai mund të udhëheqë fushatën por nuk ka besueshmëri në premtime sepse edhe nëse bëhet kryeministër ai nuk garanton se bën çfarë don sepse nuk është në parlament si deputet. Albin Kurti ka krijuar në Kosovë atë kult si Edi Rama në Tiranë që nuk ka rëndësi lista e deputetëve, përbërja e listës së deputetëve, por ka vlerë vetëm njëshi, vetëm drejtuesi i partisë. Për të kënduar vargun Partia dhe Lenini...”.

Shahu shton se Gjykata Kushtetuese mund ta rrëzojë edhe Albin Kurtin, nëse ai zgjidhet kryeministër.

“I bie që tani nuk ka e nuk do të ketë vlerë Albini si i pari i partisë. Ai si i shquar për antishtet, për goditjen e shtetit me gurë, si zaptues i bordeve dhe gjithë posteve për çetën e tij, mund tentojë të mos e pranojë vendimin e gjykatës kushtetuese dhe të hyjë në zgjedhje i paligjshëm dhe nëse fiton partia e tij ai merr post, por pastaj e rrezon Gjykata Kushtetuese dhe vendi hyn sërish në krizë politike”, thekson Shahu, duke hedhur akuza të rënda ndaj liderit të VV-së, Albin Kurtit.

“Si model e kopje të Albinit kanë vepruar edhe Thaçi dhe po tenton të veprojë edhe Vjosa Osmani të cilët nuk mendojnë të kenë listë përfaqësuesish, nuk vlerësojnë listën por tentojnë të kenë vetëm lider të vetëm të tipit autokrat si Edi Rama që i ka të gjithë zyrtarët anonimë vetëm të dalë vetë mbi ujë. Albin Kurti është i talentuar dhe e bën më mirë se askush antishetin e Kosovs, e bën aq mirë sa as Serbia nuk e bën më mirë antishtetin në Kosovë. Albin Kurti e don Kosovën vetëm nëse e udhëheq vetë atë, vetëm nëse është kryeministër i saj, në gjithë rastet e tjera ai është kundër shtetit në Kosovë. Të paktën deri sot kështu është historia e tij”, përfundon analisti Rexhep Shahu.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat