Juristi kritikon ashpër analistët në kohë zgjedhjesh, ja me çka i krahason ata

Politika

Juristi kritikon ashpër analistët në kohë zgjedhjesh, ja me çka i krahason ata

Nga: A.Morina Më: 12 janar 2021 Në ora: 17:14
Foto ilustrim

Tanimë veçse kanë filluar tubimet elektorale të subjekteve politike në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Përveç, tubimeve kanë nisur edhe debate të ndryshme në mediat e Kosovës mes subjekteve politike, ku çdo natë po shtjellohen zhvillimet e fundit në spektrin politikë.

Mirëpo, siç po kritikohen subjektet për mosrespektimin e masave anti-Covid, po kritikohen edhe analistët politikë për analizat e tyre, të cilat shpeshherë kalojnë në ofendime.

Njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi, në një prononcim për gazetën “Bota sot” i ka komentuar tubimet elektorale të subjekteve politike dhe gjuhën e përdorur nga ana e analistëve politikë karshi mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

“Në kuadër të shprehjes së mendimeve politike, ekonomike etj., të mendimeve mbi demokracinë dhe çështjet tjera, mediat i kanë krijuar pjesëmarrësit dhe ata paraqiten si të dijes së përgjithshme. Si në gazeta, ashtu edhe radio e televizion janë disa njerëz që komentojnë dhe tregojnë seçka është "demokracia apo sistemi juridiko-politik". Ata janë të dijes së përgjithshme dhe sidomos TV-ja nuk po i ndryshon fare komentuesit e tyre”, deklaroi Kelmendi

Juristi mendimet e analistëve i krahasoi me një shprehje të urtë si “lopa e mirë që derdhë qumështin", duke potencuar se ata i përplasin mendimet, herë këtej e herë andej, pa kurrfarë koncepti ideologjiko-politik

“Çdo natë e shohim Berat Buzhalën, Adriatik Kelmendin, Ridvan Berishën, Baton Haxhiun apo ata në TV7, në Klan Kosova, në TV Dukagjini etj.. Këta me disa "analistë" të pa kufizuar dhe shumë të "mençëm" tregojnë se "çka jemi dhe ku po shkojmë". Të "mençurit" nuk po ndalen. Çdo njeri prej tyre jep "mësime", tregon të "drejtën" dhe të "padrejtën". Shkohet deri atje sa edhe popullin e "analizojnë psikologjikisht" dhe mbi çdo gjë mbajnë "qëndrime". Dhe, në këto mendime, tamam si "lopa e mirë që derdhë qumështin", ia përplasim me mendime, herë këtej e herë andej, pa kurrfarë koncepti ideologjiko-politik. Kjo është e turpshme”, theksoi Kelmendi.

Ndërsa, Kelmendi i bëri apel kandidatëve për deputetë të i dëgjojnë më shumë mendimet dhe kërkesat e votuesve. Pasi, sipas tij, masat përdoren vetëm sa për të marrë votë.

“Natyrisht se masat duhet të shprehin mendimet e veta dhe ato mendime duhet të dëgjohen. Por, Kosova është larg, shumë larg asaj, ku masat dëgjohen. Në fakt askund dhe në asnjë shtet, si në Evropë dhe përtej oqeanit, nuk dëgjohen masat dhe nuk pyeten. Me to veprohet vetëm sa për të marrë votën. Pastaj nuk i dëgjon kush më. Kështu është edhe në Kosovë”, nënvizoi juristi.

Ai kritikoi edhe mënyrën e mbajtjes së tubimeve elektorale, pa principe dhe ideologji politike e ekonomike. Kandidatët për deputetë, sipas Kelmendit bëjnë premtime joreal dhe nuk merren me shqetësimet e përditshme dhe jetësore të qytetarëve.

“Fillojnë zgjedhjet ka takime me masat. Kudo premtohet pa principe dhe nëpër takime fare nuk ka asnjë lloj ideologjie politike a ekonomike. Premtohen të pamundshmet dhe gjërat reale, të kapshme dhe jetësore, lihen anash, si të parëndësishme. Kandidatët për deputetë të partive politike veç që nuk premtojnë "fluturimet në mars". Përfundojnë ato asnjë deputet nuk shkon më deri në zgjedhje tjera. Kështu është edhe tash. Janë mbushur faqet e rrjeteve sociale me takime dhe me premtime”, potencoi Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat