Mulliqi me fjalë të mëdha për Armend Mujën: Ka treguar zotësi, është pro ndryshimit

Politika

Mulliqi me fjalë të mëdha për Armend Mujën: Ka treguar zotësi, është pro ndryshimit

Nga: A.Z Më: 12 janar 2021 Në ora: 20:25
Armend Muja

Analisti politik, Armend Muja, ka aderuar në Lëvizjen Vetëvendosje. Këtë njoftim e ka bërë të ditur kryetari i LVV-së, Albin Kurti përmes një shënimi në Facebook.

Kjo ka ngjallur reagime të shumta. Kështu analisti Skënder Mulliqi, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se aderimet e analistëve në politikë lidhen me orientimet e tyre politike, në këtë rast edhe aderimi i Armend Mujës.

Mulliqi si arsye të aderimit të Mujës në LVV, thotë se është bërë që të ndihmohen proceset e stagnuara politike dhe ato ekonomike.

“Aderimet nëpër parti të analistëve politikë, shumë lidhen me orientimet e tyre politike, dhe me disponimin direkt të inkuadruarit në politikë. Në këtë kontest duhet shikuar edhe aderimin e fundit të analistit Armend Muja, si cili në shumë debate televizive kishte qëndrime parimore karshi situatës së përgjithshme në Kosovë. Është e vërtetë se Muja kishte disponim pro LVV-së dhe Albin Kurtit. Më duket se arsye e kalimit të tij në LVV për dallim nga disa aderime të tjera është bërë që të ndihmohen proceset e stagnuara politike dhe ato ekonomike që bukur disa kohë në vendin tone”, tha ai.

Tutje ka shtuar se Muja në bazë të paraqitjeve të deritashme, ka treguar se ka zotësi dhe se është pro ndryshimit të gjendjes së keqe sidomos gjatë viteve të fundit.

“Muja sipas paraqitjeve të deritashme, dhe përgatitjes së tij politike dhe profesionale të lartë, ka treguar se ka zotësi, dhe ka treguar se është pro ndryshimit të gjendjes së keqe sidomos viteve të fundit. Ajo që kemi pa dhe përjetuar gjatë këtyre viteve në Kosovë, ishte pamje e një jete të keqe të shumicës, ishin dëshmitarë të krizave të vazhdueshme politike, ekonomike e institucionale, të cilat e kanë pruar vendin në shkallën më të ulët, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në planin e jashtëm”, tha ai

Më tej inkuadrimin e Mujës në LVV e sheh si të qëlluar, sepse sipas tij tani është koha e forcave të reja dhe kreative politike.

“Më duket mua se Muja është një personalitet që inkuadrimi direkt në politikë, në LVV është qëlluar. Strukturave të vjetra dhe të burokratizura politike ju ka skaduar afati si mallit të prishur. Është koha e forcave të reja dhe kreative politike çfarë është edhe kolegu Armend Muja. LVV-ja së bashku me Listën e Osmanit janë vendi ku duhet të orientohen edhe intelektualët e tjerë që nuk i mungojnë sot Kosovës”, përfundoi Mulliqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat